Rajoni

Flamuri i Kosovës hyn në rekordet “Guinness”!

Flamuri i Republikës së Kosovës e punuar nga artistja Arbnora Fejza Idrizi dhe nxënësit e shkollës “Hamësh Jashari” i ka dhuruar Kosovës për 13-vjetorin e Pavarësisë rekordin e Guinness-it. Ka qenë vetë artistja Arbnora Fejza Idrizi, nga komuna e Skënderajt e cila ka njoftuar se “Guinness World Record” ka aprovuar rekordin e saj për Mozaikun më të Madh Origami, Flamurin e Republikës së Kosovës.

Me shumë emocione dhe krenari, dua t’ju njoftoj që “Guinness World Records” sapo ka aprovuar rekordin tonë për Mozaikun më të Madh Origami, Flamurin e Republikës së Kosovës. Të gjitha detajet dhe linkun zyrtar do t’i ndajmë me ju nesër. Këtë flamur e kemi ndërtuar me shumë punë e përkushtim për të festuar ditën e pavarësisë, e ky çertifikim është një vulë se puna e mirë shpërblehet në fund çdo herë.

Ndër të tjera, Arbnora Fejza Idrizi ka treguar se punimet për të realizuar këtë flamur kanë zgjatur plot 1 vit e katër muaj.

1 vit përgatitje, 4 muaj për të krijuar mbi 120,000 fletpalosje origami, 13 orë punë intensive me gjithë ekipin për të krijuar Mozaikun më të Madh Origami më Flamurin e Republikës së Kosovës dhe për të vendosur një rekord të ri botëror.