Aktualitet Politikë

Flakë dhe tym në protestën e Rithemelimit para Kuvendit!

Po vijon mes tensionesh protesta e thirrur sot nga Sali Berisha para Kuvendit të Shqipërisë që është mbledhur në seancë plenare. Kjo protestë pasoi transmetimin e një emisioni në televizionin italian RAI 3 e ku Shqipëria cilësohej si “narkoshtet”. Forcat policore janë me prani të shtuar dhe protestuesit i kanë vënë flakën gomave të makinave. Që në nisje të tubimit synonin ngritjen e një skenografie për të djegur ato që i quajnë “figura të krimit qeveritar”.

Po ashtu, mbajnë pankarta me mbishimin “Narcos” nga Ramaflix. Nuk ka munguar dhe hedhja e mollëve e vezëve drejt efektivëve të FNSH-së e as tentativat për të çarë kordonin policor.

Ndërkaq, brenda sallës së Kuvendit, deputetë demokratë debatuan ashpër me kryeparlamentaren Lindita Nikolla pasi refuzoi futjen e Sali Berishës në grupin parlamentar të PD-së, siç kërkoi Gazment Bardhi. Në fjalën e tij, Noka tha se largimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar “bëhet vetëm nëpërmjet dëshirës së tij e jo të përjashtohet me urdhër të narkoshtetit”. Noka tha:

Ju jeni sejmene në hije dhe nuk jeni asnjë autoritet për të vendosur përjashtimin e Berishës. Se ç’bëhet me narkoshtetin, e diskutoni ju, por aty jashtë janë qytetarët që e diskutojnë më mirë këtë gjë, sepse na keni bërë faqen e zezë të Europës dhe botës dhe na kanë kthyer në objekt diskutimi për zi e më zi.

Shqipëria, nga një vend që prodhonte stabilitet, sot po prodhon destabilitet dhe trafik droge, prandaj përpara se të fillojmë diskutimet, të merren në konsideratë kërkesat që ka paraqitur kryetari i grupit parlamentar.

Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë dhe jo e narkoregjimit përcakton në mënyrë të qartë se si një deputet është një anëtar i një grupi parlamentar. Përsa kohë ky vend quhet Republika e Shqipërisë, Kushtetuta e vendit do të mbrohet deri në fund. Ju po shkelni rregulloren dhe ligjet e vendit, ju jeni përfaqësuesja dinjitoze e krimit dhe narkoshtetit, je dhe fytyra e turpit e këtij parlamenti dhe do futesh në histori si e tillë.

Berishën askush nuk e ndalon dot të jetë deputet i parlamentit të Shqipërisë, për sa kohë ka plotësuar një formular që e përcakton rregullorja për sa kohë është deputet i PD i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit 2021 e nuk keni asnjë autoritet në Partinë Demokratike.

Më tej, Nikolla e përjashtoi Nokën nga seanca. Lindita Nikolla iu tha deputetëve se janë përfaqësues të non gratës. Ndërhyri edhe ministrja Spiropali që iu tha kolegëve se kjo që po bëjnë, “nuk është opozitë”.