Bota

Fjalimi i Netanjahut në Kongresin Amerikan, Kamala Harris bën mungesë!

Më shumë se 50 demokratë bojkotuan fjalimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu në Kongresin Amerikan. Padyshim që mungesa më e dukshme ishte ajo e zv.presidentes Kamala Harris, e cila është dhe kryetare e Senatit, që bashkë me Dhomën e Përfaqësuesve janë pjesë e Kongresit.

Harris tha se një udhëtim fushate i planifikuar më parë ia bëri të pamundur pjesëmarrjen. Por, republikanët e kritikuan mungesën e saj si “të pafalshme”.

Por, në seancë nuk ishte i pranishëm as senatori J.D. Vance, kandidati republikan për zv.president i SHBA-ve në zgjedhjet e 5 nëntorit 2024.  Sa i përket Netanjahut, ai pritet të takohet me presidentin Joe Biden dhe numrin dy të Shtëpisë së Bardhë, Kamala Harris gjatë ditës së sotme, si dhe me kandidatin republikan për president Donald Trump, nesër në Mar-a-Lago.

Shefi i qeverisë Netanjahu po përballet me kritika ndërkombëtare në rritje e kjo për shkak të krizës së shkaktuar nga lufta në Gaza. Konflikti i përgjakshëm filloi me sulmin e Hamasit ndaj Izraelit në fillim të tetorit të kaluar e që solli vdekjen e 1 mijë e 200 vetëve.

Izraeli u përgjigj me një fushatë sulmesh tokësore dhe ajrore të gjera që kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 39 mijë personave sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, një dikaster që kontrollohet nga Hamasi e që nuk bën dallim mes civilëve e luftëtarëve.

Shumë nga protestuesit dënojnë vrasjen e civilëve në Gazë. Të tjerë thonë se kryeministri izraelit Netanjahu nuk ka qenë i aftë që të lirojë pengjet izraelitë e amerikanë që mbahen nga grupi radikal palestinez, i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Bashkimi Europian.

Shumë demokratë që mbështesin Izraelin, por kanë qenë kritikë ndaj Netanjahut, e shohin fjalimin si një përpjekje republikane për ta paraqitur veten si forca politike më besnike ndaj Izraelit.

Po ashtu, të shumtë ishin demokratët që morën pjesë për të dëgjuar fjalimin, pavarësisht kritikave të tyre ndaj Netanjahut, përfshirë liderin e shumicës në Senat, Chuck Schumer, i cili bëri thirrje për zgjedhje të reja në Izrael në një fjalim të mbajtur më herët, në muajin mars 2024. Vizita e kryeministrit Netanjahut është e para e tij jashtë vendit që nga fillimi i luftës.