“Dancing with the Stars”, është programi më popullor i kërcimit që bëri bashkë personazhet më të dashur, që si kurrë më parë i keni parë duke kërcyer në një shumëllojshmëri disiplinash. Së bashku me balerinët profesionistë, javë pas jave, VIP-at sfiduan veten, në kërkim të pikëve të jurisë dhe votave të publikut, duke synuar çmimin e madh që është kaq pranë.
Ethet e finales ishin shumë të forta, të gjithë ishim kuriozë të zbulonim se kush do të ishte çifti i cili do të fitonte kupën dhe çmimin e madh. Para se të fillonte sfida e finalistëve ata dhanë disa arsye se pse duhej që ata të ishin sonte fituesit e këtij super spektakli. Më pas ata dhuruan një spektakël të vërtetë me tre performanca të ndryshme, ku në fillim ishte kërcimi i javës së tyre të parë në këtë super spektakël, më pas ishte një freestyle i zgjedhur nga vetë finalistët, ndërsa në fund ishte zgjedhur një tjetër kërcim që normalisht i shkon për shtat shpirtit të tyre të fitores dhe nuk duhet mohuar që shkëlqyen me plot kuptimin e fjalës. Normalisht që ky rrugëtim i bukur do të mbahet mend gjatë për të gjithë konkurrentë njësoj.
Me llogaritjen e pikëve të jurisë dhe votave të publikut që kishin një peshë 50 me 50 fituese e këtij edicioni të “Dancing With The Stars” u shpall Sara Hoxha.
Kam shumë emocione, nuk më besohet. Kam përgatitur diçka. Si fillim dua të falenderoj produksionin për ftesën dhe koreografët tanë, Esdalinin dhe Olën për çdo koreografi tonën që ato e kanë kuruar deri në pikën e fundit, dua të falenderoj të gjithë konkurrentët për kujtimet, miqësitë dhe sfidat që më ngjallën, dua të falenderoj familjen time të madhe Hoxha dhe Vula për mbështetjen pa kufi, falenderoj të gjithë miqtë e mi për të gjithë energjinë pozitive dhe suportin, falenderoj publikun për çdo mesazh që ka dërguar, për çdo share, çdo koment dhe çdo kritikë. Nuk do ta ngrija këtë kupë sot pa ju. Falenderoj Luixhinon për çdo orë provë që se ka kursyer, për energjinë që më ka dhënë, për përkushtimin në çdo detaj të kërcimeve të mija. Faleminderit për mikun që unë e fitova këto tre muaj dhe do ta kem për gjithë jetën. Në fund unë dua të falenderoj Poin, e cila ishte frymëzimi im, arsyeja pse jetoj. Ti sot ndoshta nuk e kupton por një ditë kur të rritesh do e kuptosh edhe ti që mund të arrish gjithçka. Kjo kupë shkon për të gjitha vajzat e vogla.
Një spektakël që ka ‘mbërthyer’ para ekranit mijëra shqiptarë, ka dhuruar emocione të pafundme, një show ku të gjithë kanë qarë dhe kanë qeshur në momentet më unike dhe që do të mbahen mend për shumë gjatë. Nuk duhet të harrojmë edhe arritjen e tij më madhe pikërisht lidhur me rrjetin social Instagram, duket se suksesi ka qenë i jashtëzakonshëm. Në revistën më të madhe të programeve audiovizive në botë, World Screen Social, Wit List renditet në vend të tretë për muajin tetor. Duke analizuar shfaqjet që nisën transmetimin në muajin tetor dhe ecurinë e tyre në rrjetin social “Instagram”, Wit List rendit në vend të parë “Gran Hermano” (Big Brother) në Argjentinë, në vend të dytë “Star Academy” në Francë dhe në vend të tretë “Dancing With the Stars” në Shqipëri.
“Dancing With The Stars” u shfaq premierë në Top Channel në 7 tetor. Versioni më i fundit i formatit hit në të cilin personazhet e famshëm vendas u bashkuan me profesionistët e kërcimit në një betejë kërcimi për të vendosur se cili çift do të dalë kampion. “Dancing With The Stars” u moderua nga Bora Zemani, ndërkohë që Eno Popi ishte në Gold Room.