Sport

Fitorja me Poloninë, Shqipëria bën historinë: Kryeson Grupin E, mposht “mallkimin” polak!

Fitorja e mbrëmshme me Poloninë përveç entuziasmit mëse të justifikuar për pjesën që na afron më shumë me Europianin e vitit të ardhshëm në Gjermani, shënohet edhe për momentet historike.

Për të parën herë, Shqipëria e futbollit është në krye të grupit pas 5 ndeshjesh. Me 10 pikë, ne jemi të parët në Grupin E pasi kemi dy më shumë se Çekia (një ndeshje më pak) dhe po dy më shumë se Moldavia.

Me vetëm 6 pikë, Polonia është në vendin e katërt, por për kuqezinjtë fitorja me polakët përbën një tjetër ngjarje historike, pasi me golat e tyre, Jasir Asani e Mirlind Daku thyen “mallkimin” 70-vjeçar kundër Polonisë ndaj së cilës kishim fituar vetëm në vitin 1953.

Ekspertët sjellin në vëmendje se në 15 ndeshje të luajtura mes tyre, Shqipëria ka dy fitore, tre barazime dhe dhjetë fitore shkojnë për polakët. Ndërkaq, përtej shifrave, kuqezinjtë e Sylvinhos treguan se asgjë nuk ka vlerë veç shpirtit dhe zemrës në fushë.

Për kualifikueset e Euro 2024-ës, tashmë janë edhe tre ndeshje për t’u luajtur në këtë grup ku për momentin jemi të parët, çka merr peshë se si të parët jemi pjesë e historisë së futbollit.

Shqipëria pret Çekinë në tetor, luan kundër Moldavisë (në transfertë) dhe me Ishujt Faroe, po në Tiranë në muajin nëntor.

Gjysma e rrugës për në Gjermani është bërë, siç vlerësoi dhe trajneri brazilian Sylvinho në konferencën për shtyp pas fitores. Me këmbë në tokë, ai kujtoi se na presin tre finale të vështira e se futbolli është i paparashikueshëm e mund të ndodhë gjithçka në të paktën 90 minuta lojë.

Mbani mend Botërorin e fundit, Argjentina që ishte kampione e botës në ndeshjen e parë e humbi. Ky është futbolli dhe mund të ndodhë gjithçka në 90 minuta.

Por, ne ecim me hapa të mëdhenj dhe 10 pikë nga 5 ndeshje nuk janë shaka. Objektivi afrohet për të bërë realitet ëndrrën e pjesëmarrjes në Euro 2024, verën e ardhshme në Gjermani.