Aktualitet Politikë

Fitorja e Trump-it, Berisha: Opozita shqiptare ka arsye ta festojë!

Në një bashkëbisedim me qytetarë në rrjetet sociale, Sali Berisha u shpreh se opozita shqiptare ka arsye për të festuar fitoren e Trump-it në Amerikë se siç tha kryetari demokrat “u godit nga e majta amerikane dhe Sorosi”.

Kanë ndodhur ndryshime në kahje shumë të favorshme për lirinë, për dinjitetin, për vlerat universale të individit dhe shoqërive të lira në mbarë botën. Nuk mohohet se rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë shënon një fitore të madhe për vlerat konservatore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për vlerat konservatore në mbarë botën, për ata të cilët iu besojnë dhe i kanë të shtrenjta, të çmuara këto vlera.

Një dallgë marksiste që sundoi apo kulmoi katër vitet e fundit në SHBA, theu qafën në kuptimin që ajo u hodh poshtë në mënyrë plebishitare nga zgjedhësit, qytetarët amerikanë e fatmirësisht pas disfatës së flamurmbajtësve të kësaj dallge, sot po lexoja se shumica dërrmuese e mbështetësve të zëvendëspresidentes Harris po rikthejnë mbështetjen e tyre për presidentin Trump.

Në këtë mënyrë, unë besoj se çdo njeri i mirë beson në vlerat konservatore si vlerat më të mira. Ka pasur një rast të festojmë këtë fitore.

Por dy herë më shumë shqiptarët, opozita shqiptare, sepse këto vite, kjo opozitë u përball jo vetëm me narkoshtetin e vetëm dhe të parë në Europë, por për fat të keq u përball me grushtin e shtetit të organizuar kundër saj si forcë konservatore nga e majta amerikane, nga Xhorxh Sorosi dhe qendrat që ai ndikonte, lobonte.

Kështu që kjo ishte një periudhë trevjeçare shumë e vështirë për opozitën, por edhe për qytetarët shqiptarë.

Në përpjekje të paimagjinueshme, vendi i madh i lirisë që kishte bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve, ndërmori përpjekjet, masat më absurde, më antidemokratike vetëm e vetëm që të shndërronte opozitën shqiptare në një shtojcë të narkodiktatorit Edi Rama. Njerëzit flasin me të drejtë sepse e kanë dëgjuar dhe e dinë sanksionimin e Sali Berishës por qindra prej jush u sanksionuan vetëm për mbështetjen që i jepni Sali Berishës, mbështetjen që i jepni të vërtetës.

Amerika u rikthehet vlerave. Ata u përpoqën të tjetërsojnë individin, identitetin e njeriut, ata morën ndëshkimin që meritonin nga qytetarët amerikanë. Mos harroni se kjo zv.presidente shndërroi në politikat e saj shtetërore ndryshimin e gjinisë njerëzore dhe perversitete të tjera, rrënimin e familjes, shndërrimin e prindërve në numra. Pra, tejkaloi edhe parashikimet marksiste të kohës me këto idera.

Në këtë kontekst, Amerika shpëtoi nga vota e qytetarëve, por edhe ndikimi i saj kulturor, Amerika është një superfuqi kulturore në botë, një agresion i vërtetë kulturor merr fund me rikthimin në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump-it.