Sport

Fitorja e 3-të radhazi, Bayern kalon pengesën e Union Berlin

Bayern nuk fal në shtëpi, teksa fitoi me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Unionit të Berlinit, duke marrë kështu fitoren e 3-të radhazi në kampionat.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me bavarezët që u vendosën në kërkim të golit. Pas 13 minutash lojë, Olise u pengua në zonë, duke fituar kështu një 11-metërsh. Nga pika e bardhë e penalltisë u nis Harry Kane, i cili u tregua mjaft i saktë, duke dërguar topin pas shpinës së portierit.

Goli i dytë për të besuarit e Kompany erdhi në minutën e 42-të, falë një zbritje mjaft të bukur të vendasve. Kane shërbeu në mënyrë perfekte për Coman, që nga fare pranë portës, nuk e pati të vështirë të realizojë.

Bayern thelloi shifrat në fillimin e pjesës së dytë. Harry Kane ishte protagonist edhe në minutën e 51-të, teksa me golin e tij “vulosi” një herë e mirë fatin e këtij takimi.

Bayern kryeson kampionatin me 23 pikë dhe në ndeshjen e radhës do të përballet me St Paulin. Union Berlin i vendit të gjashtë sfidon Freiburg.

Në ndeshjet e tjera të luajtura sot, bie në sy triumfi i thellë 7-2 i Frankfurt ndaj Bochum.

Bundesliga përcillet ekskluzivisht në Digitalb