Sport

Fitoi Messi, nuk humbi Mbappè!

Më në fund, Messi fitoi, Mbappè nuk humbi! “Noche Qatarina del Diez” dhuroi emocione, gola, argëtim. U zgjodh Argjentina, e aftë të fitojë tre Kupa Bote dhe gjithashtu e aftë për të fituar tre herë, të njëjtën ndeshje kundër Francës. Së pari, në kohën e rregullt kur për 80 minuta dominoi e pothuajse tallej me kundërshtaren, deri në ato momente, kampione në fuqi. Pastaj në kohën shtesë kur e djathta e “Pleshtit” dukej se ia dha titullin përgjithmonë. Në fund, te gjuajtja e penalltive, aty ku Seleccion pati saktësinë që në mënyrë të bujshme iu mungoi djemve të Didier Deschampsit.

Messi fitoi Kupën e Botës që dukej sikur ia mohonin “perënditë e futbollit”, por ndërruan mendje dhe triumfi erdhi pas 36 vitesh kur i bekuari ishte Diego Armando Maradona. Siguria për të fituar, pasoi avantazhin e dyfishtë e më tej, përmes një ulje-ngritjesh emocionesh gjithë adrenalinë u arrit triumfi që shpërbleu gjithë skuadrën.

Në moshën 35 vjeçare, Leo arriti aty ku Diego preku kur ishte 25-vjeç dhe u tregua një trashëgimtar i denjë. Në Meksikë, Maradona nuk përmbahej, qe i pakontrollueshëm e shkatërrues. Në Katar, Messi, i zgjedhur si lojtari më i mirë i turneut përdori teknikën, klasin dhe përvojën, pra elementë të domosdoshëm për të qenë një mbështetje fitimtare për ekipin.

Na kujtoi Maradonën, si në rastin kur shërbeu si prologu i golit të Alvarezit kundër Kroacisë. Por, edhe nëse nuk fitonte Kupën, sërish do të ishte Leo Messi. Nuk duhet të gjykohet një futbollist në penallti, ndërsa Maradona gjithmonë do të mbetet Maradona. E kotë të bëhen krahasime, nga të cilat nuk ka rrugëdalje. Leo nuk e mundi Francën, por kapërceu fiksimin që e mundonte prej shumë kohe. Mos harrojmë se me argumente që qëndronin, për të thonin se ishte i mirë vetëm për Barcelonën, jo për Argjentinën.

Messi fitoi, Mbappè fitoi. Golashënuesi më i mirë në Kupën e Botës u tregua i aftë për të mbajtur gjallë lojën, me tre gola në një finale. Para tij, kjo ndodhi me Geoff Hurst në vitin 1966 në Londër, kur luhej Angli-Gjermani 4-2.

Mbappè ishte një nga protagonistët e këtij spektakli të pabesueshëm e ndoshta të papërsëritshëm futbolli. Në 120 minuta, si dhe gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, FIFA e Katari (edhe PSG) ishin në gjendje që më krenari të pamasë, të shfaqnin xhevahiret e tyre: Mbappè dhe Leo Messi. Ata nuk mund të kishin kërkuar më shumë. Ndërkohë, festa nuk është vetëm në Buenos Aires, por edhe në Napolin e Maradonës.