Këngëtari i famshëm britanik, Ed Sheeran, ka marrë mbi një milion euro dëmshpërblim, pasi fitoi gjyqin për të drejtat e autorit lidhur me megahitin e tij, “Shape of You”. Kujtojmë që Sheeran dhe bashkëpunëtorët e tij, John McDaid i Snow Patrol dhe producenti Steven McCutcheon, ishin paditur nga muzikanti britanik, Sami Chokri. Ai ngriti çështjen për shkelje të të drejtës së autorit duke pretenduar se 31-vjeçari kopjoji një pjesë nga kënga e tij e vitit 2015, “Oh Why”.
Sheeran mohoi që në fillim se këngën e kishte dëgjuar më parë, ndërsa rasti përfundoi në një gjykatë në prill të këtij viti. Edhe pse, pas vendimit, avokatët e Chokri argumentuan se Sheeran dhe ekipi i tij duhet të paguajnë shpenzimet e tyre ligjore, në vendim, gjyqtari Antony Zacaroli vendosi që këtë duhej ta bënin paditësit, duke urdhëruar një pagesë të përkohshme prej një milion e 64 mijë euro.
Pritet një diskutim i mëtejshëm në të cilin do të vlerësohen dhe finalizohen shumat. Avokati i këngëtarit më herët kishte thënë se i gjithë rasti ishte thellësisht traumatik për këngëtarin dhe bashkëpunëtorët e tij, por për fat të mirë, mori fund. Kënga “Shape of You” i solli Sheeranit dhe partnerëve të tij përfitime prej rreth 5.8 milionë euro. Rikujtojmë, se së fundmi Ed Sheeran ka thyer një rekord të madh, pasi kënga e tij “Bad Habits” e ka bërë atë artistin më të dëgjuar në Britani të Madhe, si dhe kënga më e dëgjuar e vitit 2021.
Kjo e bën 31-vjeçarin, artistin e parë që fiton të dyja vlerësimet në dy vite të ndara. Ai më parë e bëri këtë arritje në vitin 2017, me këngën e tij hit “Shape of You” dhe albumit të njohur “Divide”. Rikujtojmë, se rreth 1 muaj më parë Sheeran dhe partnerja e tij Cherry Seabron u bënë prindër për herë të dytë. Ishte vetë këngëtari që njoftoi në Instagram se ai dhe gruaja e tij, Cherry Seaborn, mirëpritën një tjetër vajzë.