E ftuar ditën e sotme në “Pardon My French” ishte Marjana Kondi, aktorja shumë e dashur për publikun shqiptar, e cila ka spikatur me talentin e saj. Një artiste me kuptimin e plotë të fjalës, ditën e sotme, Marjana Kondi, ndër të tjera u shpreh edhe për çmimin “Mjeshtër i Madh” që mori vetëm disa ditë më parë nga Presidenti Ilir Meta. Kondi tregoi si e priti këtë çmim kaq të veçantë, teksa gjithashtu përshkroi ndjenjat e saj, duke emocionuar me fjalët e vërteta të një artisteje.
E prita jashtëzakonisht mirë. Falenderoj Presidentin për këtë lumturi që më dha, është e rrallë. Është një kënaqësi e madhe për një artist, e gjithë jeta jote, e gjithë karriera jote… Unë e ndaj karrierën në çastet e ngritjes dhe ato të rënies…
Ndërkohë, gjithashtu Kondi kujtoi hapat e parë në botën e artit, teksa kujton performancën e saj të parë.
Në vitin ’81 ka qenë fillimi me një poezi të Gjergj Vlashit…
Me një eksperiencë 40-vjeçare në botën e artit, ekskluzivisht për Top Albania Radio, ajo zbulon se i pëlqen të gjitha, por radio është një dashuri e vërtetë për të.
Të gjitha janë të bukura e sidomos radio, radio është një dashuri e vërtetë.
Një çmim i tillë kaq me vlerë, sigurisht që nuk mund të mos vinte me komente të shumta pozitive e negative. Kondi zbuloi se kush ishte ai që u lumturua më shumë për çmimin e veçantë, teksa gjithashtu tregoi se ndjeu edhe xhelozi nga kolegët e saj.
Çuditërisht im shoq u lumturua më shumë, çuditërisht sepse ai është indiferent…
Kam ndjerë edhe xhelozi… Është një farë xhelozie, por le të jetë, nuk e kam problem…