Aktualitet

Firmoset marrëveshja për hapjen e kampusit të universitetit francez UTC në Tiranë!

Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Universiteti i Teknologjisë së Compiègne (UTC), Francë, një prej më të njohurve europianë për ekselencën akademike në fushën e teknologjisë, kërkimit shkencor dhe inovacionit, sot firmosën  memorandumin e bashkëpunimit, në Compiègne të Francës.

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu e konsideroi “hap shumë të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të Arsimit të Lartë dhe diversifikimit të ofertës akademike shqiptare”.

Në kuadër të marrëveshjeve mes dy qeverive, të Shqipërisë e të Francës, si dhe punës intensive të ekipeve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, UPT e UTC, marrëveshja e sapo firmosur mundëson hapjen e programeve të studimeve të ciklit të parë (Bachelor) në Universitetin Politeknik të Tiranës, duke i mundësuar studentëve shqiptarë dhe të huaj të studiojnë në degët e inxhinierisë kompjuterike dhe elektronikës me standarde europiane, me diplomë dyfishe.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit u shpreh se ky është një gur kilometrik në rrugën e ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë.

Jemi krenarë për këtë arritje që ngre në një nivel të ri ofertën akademike shqiptare, duke vendosur një tjetër gur kilometrik në rrugën e ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë.

Ky bashkëpunim është në frymën e miqësisë që lidh dy vendet tona. Urojmë që së shpejti të hapim Kampusin e UTC në Tiranë, në bashkëpunim me UPT, për të sjellë më të mirën e dy modeleve tona, për të formuar studentë sa më të aftë që i përgjigjen sfidave të kohës, tha presidentja e UTC, Prof. Claire Rossi.

Universiteti i Teknologjisë së Compiègne (UTC) sapo i ka akorduar Universitetit Politeknik të Tiranës statusin e partnerit strategjik, që i hap rrugën ngritjes së kampusit të këtij universiteti në Tiranë.

Më herët ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, së bashku me Rektorin, Prof. Akli Fundo dhe përfaqësues të Universitetit Politeknik të Tiranës, me prof. Dritan Naçe nga UTC, vizituan laboratorët e kërkimit shkencor dhe platformat me të reja teknologjike të robotikës dhe makinave inteligjente të zhvilluara në Qendrën e Inovacionit të Universitetit të Teknologjisë së Compiègne, përmes studimeve të thelluara në këto fusha dhe bashkëpunimit me biznesin.

Njësitë e kërkimit shkencor të UTC-së janë një shembull i bashkëpunimit ekselent akademi-biznes, një model që synohet të integrohet përmes programit të ndërkombëtarizimit mes dy institucioneve.