Bota

Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim të shpejtë në NATO!

Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto dhe kryeministrja, Sanna Marin bënë thirrje për anëtarësimin e Finlandës në NATO, “pa vonesa”. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, të dy liderët thanë se presin vendimin në ditët në vijim. Deklarata pason rritjen e mbështetjes së publikut për anëtarësimin e Finlandës në Aleancën Veri-Atlantike, për shkak të pushtimit rus në Ukrainë.

Ndërkohë dje, Marin tha se nëse “vendi ndërmerr hapin historik që të aplikojë për anëtarësim në NATO, kjo bëhet për sigurinë e qytetarëve e do të forconte komunitetin ndërkombëtar”. Shefja e qeverisë së Helsinkit i bëri këto deklarata, pas një takimi me kryeministrin japonez, Fumio Kishida në Tokio.

Pushtimi rus i Ukrainës ka shtyrë Finlandën dhe Suedinë që të mendojnë seriozisht mbi aplikimin për anëtarësim në NATO, duke braktisur besimin e mbajtur me dekada tashmë se “paqja ruhet duke mos mbajtur publikisht asnjë anë”. Por, pavarësisht këtij qëndrimi, prej vitesh, që të dy shtetet nuk e kanë humbur mundësinë për të marrin pjesë në stërvitjet e Aleancës ushtarake.

Kryeministrja e Finlandës, Marin theksoi se “veprimet e Rusisë në Ukrainë shkelin haptazi ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara”. Rusia mohon se forcat e saj kryejnë krime kundër civilëve në Ukrainë, që nga koha kur Moska nisi pushtimin e shtetit fqinj më 24 shkurt, në emër të atij që e quan “operacion special për çmilitarizimin e vendit”.

Debati në Finlandë për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s ka filluar që nga koha kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt. Një diskutim i ngjashëm po zhvillohet edhe në Suedi. Finlanda ndan një kufi prej 1 mijë e 300 kilometrash me Rusinë, por Suedia nuk ka kufi të përbashkët me shtetin rus. Moska ka paralajmëruar pasoja për NATO-n nëse lejon anëtarësimin e Finlandës e të Suedisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se “zgjerimi i NATO-s nuk do të sillte më shumë stabilitet në Europë”, ndërsa Dmitry Medvedev, anëtar i Këshillit të Sigurisë në Rusi, u shpreh se “nëse Finlanda dhe Suedia i bashkohen NATO-s, Moska do të detyrohet të forcojë mbrojtjen e saj në Baltik me armë bërthamore”.