Influenca, fuqia për të bindur dhe mbrojtur ndryshimin apo imagjinuar mënyra më të mira për të bërë gjërat, merr shumë forma.
Nisur nga impakti që një person me influencë mund të ketë mbi dikë apo diçka, Financial Times ka ndërmarrë një projekt të veçantë për të renditur gratë më me ndikim në skenën ndërkombëtare për vitin 2023.
Në numrin e përvitshëm të revistës Gratë e Vitit 2023, mes grave më me ndikim në botë që janë vlerësuar me çmime prestigjioze për kontributin e dhënë në shoqëri, nga Nobeli te Pulitzer, Grammy dhe Kupat e Botës, renditet edhe shqiptarja Mira Murati.
Puna që ka zgjedhur të bëjë me pasion, dhe impakti që ajo lë në të tashmen dhe të ardhmen, ka bërë që shefja e teknologjisë OpenAI të renditet mes emrave të mëdhenj Margot Robbie, Beyoncé, Barbara Kingsolver, Margot Robbie, Beyoncé, Lola Shoneyin etj, si një ndër gratë më të fuqishme.
“Shefja e teknologjisë OpenAI, Mira Murati, është në krye të transformimit të thellë dixhital të këtij momenti. E lindur në Shqipëri, Mira tani jeton në epiqendrën e evolucionit të shpejtë të inteligjencës artificiale. Produktet novatore të OpenAI, ChatGPT dhe Dall-E, kanë rrëmbyer imagjinatën e botës dhe do të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si ne punojmë, mësojmë dhe shprehemi në mënyrë krijuese. Udhëheqja vizionare e Mira-s shtrihet shumë përtej shkencës dhe kërkimit të modeleve të mëdha gjuhësore në dizajnimin se si të inkorporojmë AI në jetën tonë të përditshme, si dhe si të zhvillojmë AI me përgjegjësi në lidhje me sigurinë dhe rregulloren.
Tepër e vëmendshme në parashikimin e ndërveprimeve njerëzore-AI, Mira është pro testimeve të hapura, publike – duke na inkurajuar të kapim këtë moment unik në kohë. Si diçka dukshëm e rrallë – një grua që drejton një kompani teknologjike – historia dhe lidershipi i Mirës janë po aq frymëzues sa teknologjia që përcakton të ardhmen që ajo mbikëqyr”- shkruan Marissa Mayer, bashkëthemeluese dhe shefe ekzekutive e startup-it të inteligjencës artificiale Sunshine, në dedikimin drejtuar Muratit.