Aktualitet

Filmoi trupin e pajetë të Erald Nevruzit, policia ndalon shoferin e ambulancës!

Uniformat blu kanë ndaluar shoferin e ambulancës së morgut, i cili akuzohet se ka filmuar me celular trupin e pajetë të Eraldo Nevruzit, për t’ua dërguar mediave me qëllim që ta shpërndanin.

Sipas uniformave blu, 62-vjeçari me iniciale A. I., është ndaluar për veprën penale “Zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete”.

“Shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut, i është bërë këqyrja e aparatit celular nga grupi hetimor, ku i janë gjetur pamjet filmike të trupit të shtetasit E. N., të cilat ua kishte dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin”, raporton policia.

Kujtojmë që trupi i recepsionistit, 31-vjeçarit Eraldo Nevruzi u gjet paraditen e së premtes (7 Qershor) në një gurore në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”, në zonën midis fshatrave Dhërmi dhe Vuno.

Viktima u vra në një nga dhomat e stafit në hotelin Greccia në Dhërmi ku punonte si recepsionist nga Gerald Shehu, i cili ishte bashkëpronar me vjehrrën e tij.

Pasi e qëlloi me pistoletë pak pas mesnatës së të mërkurës (6 Qershor), 43-vjeçari Gerald Shehu dyshohet se me ndihmën e dy punonjësve të tjerë Daniel Qose, 34 vjeç dhe David Larti 31 vjeç, e transportoi trupin e pajetë nga dhoma në makinën e tij tip Audi, ku edhe më pasi e hodhi pranë gurores.

Autori i dyshuar i krimit tentoi të arratisej drejt Britanisë nga Korfuzoi, por është arrestuar nga autoritetet greke ditën e ngjarjes së rëndë dhe pritet ekstradimi i tij në vendin tonë.

Njoftimi i policisë:

Himarë/Informacion shtesë

Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi hetimor për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së shtetasit E. N., grupi hetimor ka marrë informacion se shoferi i autoambulancës që po transportonte për në morgun e Vlorës trupin e shtetasit E. N., i cili u vra me armë zjarri nga shtetasi G. Sh., kishte filmuar me aparat celular trupin e pajetë për t’ua dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin.

Bazuar në këtë informacion, shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut, i është bërë këqyrja e aparatit celular nga grupi hetimor, ku i janë gjetur pamjet filmike të trupit të shtetasit E. N., të cilat ua kishte dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin.

Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut Vlorë, për veprën penale “Zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete”.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon gazetarët që nuk pranuan të publikonin videon e dërguar nga ky shtetas të trupit të pajetë të shtetasit E. N.