Filmi i fundit “The Super Mario Bros” ka arritur të gjenerojë fitime të jashtëzakonshme. Filmi arriti fitimet prej më shumë se 200 milionë dollarë në SHBA dhe Kanada për shfaqjen e tij të hapjes pesë-ditore, sipas një njoftimi për shtyp dhe rreth 377 milionë dollarë në mbarë botën – kjo e fundit kryeson rekordin për një film të animuar, mbajtur më parë nga “Frozen 2”.
Kjo shënon shitjen më të madhe globale të biletave të vitit, me “Super Mario Bros”, duke qëndruar përpara “Ant-Man and the Wasp: Quantumania”, i cili solli 225.3 milionë dollarë gjatë hapjes së tij në shkurt. Filmi bazohet në botën e video-lojërave klasike të Nintendo të vitit 1985 “Super Mario” dhe luan Chris Pratt si Mario, Charlie Day si Luigi dhe Anya Taylor-Joy si Princesha Peach. Jack Black, Keegan-Michael Key, Seth Rogen, Fred Armisen, Kevin Michael Richardson dhe Sebastian Maniscalco janë disa emra të tjerë të njohur të kastit.
Aktori Charles Martinet, zëri zyrtar prej kohësh i Marios në lojëra – për të cilin shumë fansa të lojës menduan se duhej të ishte marrë si personazhi titullar në vend të Pratt – bën një paraqitje të veçantë në film. “Super Mario Bros” ndjek hidraulikun e Bruklinit, Marion dhe Luixhin, teksa transportohen në një tub misterioz ndërsa punonin nën tokë për të rregulluar një tub uji. Vëllezërit enden në një “botë të re magjike” dhe kur ata ndahen, Mario fillon një kërkim epik për të gjetur Luixhin, sipas një përmbledhjeje në faqen e internetit të filmit.
Hapja e fortë është një shenjë e shëndetshme për kinematë që po shkojnë në sezonin e verës me fitime kolosale, me filmin tjetër “Guardians of the Galaxy”, gjithashtu me protagonist Pratt, që do të nisë në maj. Filmin “The Super Mario Bros” mund ta ndiqni tanimë në kinema Cineplexx.