Film & Tv

Filmi me metrazh të shkurtër i regjisorit shqiptar, hyn në listën e ngushtë për “Oscar”

Pasi preku festivalin e Kanës, “The Van” është më pranë se kurrë të një prej çmimeve më të rëndësishme të filmit në botë, atë të “Oscars”! Mësohet se filmi me metrazh të shkurtër i regjisorit shqiptar, Erenik Beqiri është futur në listën e ngushtë të nominimeve të “Oscars” në kategorinë ‘Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër’.

Në këtë film ku kryefjala e të cilit është nevoja e shoqërisë shqiptare për të emigruar, luajnë 2 aktorë nga Kosova, Afrim Muçaj dhe Arben Bajraktari. “The Van” është një bashkëprodhim mes Shqipërisë dhe Francës dhe në “Oscar” konkurron me filma të tjerë si; “Bitu”, “Da Yie”, “Feeling Through”, “The Human Voice”, “The Kicksled Choir”, “The Letter Room”, “The Present”, “Two Distant Strangers”, “The Van” dhe “White Eye”.

Ceremonia e 93 e ndarjes së çmimeve “Oscar” është parashikuar të mbahet më 25 prill në ‘Dolby Theatre’, Los Angeles. Sakaq, lista e plotë e të nominuarve pritet të bëhet publike më 15 mars.