Të gjitha institucionet arsimore të arsimit parauniversitar kanë nisur sot vitin e ri shkollor, duke mirëpritur rreth 350 mijë nxënës. Nga këta, 28 mijë janë të rinjtë që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Nxënësit e arsimit të detyruar 9-vjeçar do të përfitojnë dy periudha pushimesh gjatë vitit shkollor: një në fundvit dhe një tjetër në javën e parë të muajit prill. Viti shkollor do të përfundojë më 13 qershor.
Për të siguruar një mjedis të sigurt për nxënësit, janë angazhuar 240 oficerë sigurie, 40 më shumë krahasuar me vitin 2023. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka theksuar se ky vit ka sjellë risira dhe investime të rëndësishme, përfshirë rritjen e pagave për 31 mijë mësues.
Një tjetër lajm i rëndësishëm është se mbi 238 mijë nxënës do të përfitojnë librat falas këtë vit shkollor. Në përgatitje për nisjen e vitit të ri shkollor, Policia e Shtetit ka publikuar një plan të ri masash, që përfshin shtimin e efektivëve pranë shkollave dhe patrullimet në institucionet arsimore pranë rrugëve. Policia po bashkëpunon gjithashtu me pushtetin lokal, psikologët, punonjësit socialë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe AKU-në për të siguruar një mbarëvajtje të suksesshme të vitit shkollor.