Dy prej artistëve më të dashur të tregut muzikor, Fifi dhe Young Zerka, janë bërë bashkë për të sjellë jo një, por pesë këngë të reja. Ata kanë publikuar EP e tyre të parë së bashku që mban titullin “Kameleon” dhe të ftuar në studion e “Wake Up” na kanë zbuluar më shumë rreth këtij projekti.
Çfarë mund të na thoni për 5 këngët e albumit?
Fifi: Janë këngë super verore, super komerciale. Jemi munduar të mos bëjmë një EP bazik, që vetëm një apo dy këngë të bëhen hite e të tjerët të jenë vetëm sa për t’i mbushur. Jemi munduar t’i kushtojmë kohë secilës. Është titulluar “Kameleon” sepse edhe unë dhe Zerka jemi kështu si kameleonë. Plus dhe këngët janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Kemi munduar të tregojmë një histori se si nis një lidhje, kur një femër nuk do, pastaj deri kur i thonë “Të dua” njëri-tjetrit.
Këngët ishin gati apo i keni punuar tani?
Young Zerka: Gjithçka ka filluar nga zero. E ndamë mendjen që do nxirrnim këngë të reja.
Fifi: Pas “Lali” menduam të bëjmë dhe projekt tjetër bashkë. Brenda javës kemi bërë 5-6 këngë. Pastaj menduam të bëjmë një EP, diçka që nuk e kanë bërë ndonjëherë dy artistë bashkë.
Cila këngë ju pëlqen më shumë?
Fifi: Nuk i ndaj dot anjërën prej tjetrës. Është një sens që mundesh t’i nuhasësh se kush do të eci më shumë. Por nuk mund të them se cila më pëlqen më shumë. “Të dua” mund të eci më shumë. Kjo është e bukura e EP, që në 5 këngë do e gjesh veten tek ndonjëra.
Young Zerka: Pikë më të dobët kam “Fotografi”, është më e ndjerë.