Politikë

Fier, Basha në mes të qytetarëve: Era e ndryshimit po vjen, të respektojmë masat anti-COVID!

Ditën e sotme kreu i PD-së Lulzim Basha ndodhet në Fier ku ka zhvilluar takime me qytetarët. Basha sërish ka grumbulluar më shumë qytetarë nga sa lejohen nga Komiteti Teknik duke shkelur rregullat e vendosura për frenimin e përhapjes së COVID-it. Basha në mes të simpatizantëve ka kërkuar që të respektohen masat anti-COVID por duke qenë se kishte një numër të lartë qytetarësh ngjitur me njëri tjetrin, ishte e pamundur të ndodhte një gjë e tillë.

Era e ndryshimit po vjen, një çlirim shpirtëror. Do iu lus të respektojmë kushtet që kërkon kjo fushatë të mbajmë maska të mbajmë distancë por ta cojmë përpara frymën e ndryshimit. Plani ynë do bëjë të mundur stabilizimin e gjendjes që të mos detyroheni të mbyllni qepenat. Një ditë pozitive bashkimi më 25 prilli. Do ju çlirojmë nga çdo stres dhe çdo problem i këtyre 8 viteve. Të gjithë bëhemi bashkë më 25, ta çlirojmë vendin nga e keqja dhe të sjellim pozitivitet

Gjatë takimeve një e re i ka dalë përpara Bashës duke i thënë se preferon të mblidhet në këto takime dhe të vdesë nga COVID-i, duke shprehur mospëlqimin e saj për kryeministrin Rama. Kryedemokrati planifikoi të vizitonte Fierin ditën e djeshme, por e anuloi për shkak të ndarjes nga jeta të deputetit socialist Bashkim Fino.