Rajoni Sport

FFK-ja i raporton UEFA-s për thirrjet e tifozëve serbë në EURO 2024!

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) bëri të ditur sot se ka reaguar zyrtarisht në Federatën Europiane të Futbollit (UEFA) për “shfaqjen e flamujve, sloganeve dhe thirrjeve të tifozëve serbë me mesazhe politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës”, dje gjatë ndeshjes Serbi-Angli, në kuadër të Kampionatit Europian të Futbollit, EURO 2024.

Shfaqja e papenguar e mesazheve dhe thirrjeve të tilla në një event madhështor si EURO 2024 është e pakuptimtë dhe absurde. Përmes thirrjeve të tilla dëshmohet urrejtja e mbjellë në opinionin publik në Serbi ndaj fqinjve të saj, thuhet në komunikatë.

Ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, FFK-ja ka kërkuar që të merren masa të ashpra disiplinore.

Thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si EURO 2024 janë motivim për grupet nacionaliste e kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë të rajonit”, shtohet më tej në deklaratë.

Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se përgjatë ndeshjes Serbi-Angli janë dëgjuar thirrje si “Kosova është Serbi” dhe që para takimit, iu vu flaka duke u djegur flamuri i Shqipërisë. Anglia përmbushi pritshmëritë, duke fituar ndeshjen e parë përballë Serbisë 1-0 në Grupin C dhe mori kryesimin me pikë të plota. Ndërkaq, 7 tifozë serbë u arrestuan nga policia gjermane lidhur me përleshjet fizike që i paraprinë takimit me Anglinë në Euro 2024.

Ky është edicioni i 17-të i Kampionatit Europian, i njohur më mirë si EURO 2024 e në të po merr pjesë edhe Shqipëria, për herë të dytë në histori, pas debutimit të vitit 2016.

Kontrollet e përkohshme të vendosura në të gjithë kufijtë gjermanë për turneun Euro 2024 kanë parandaluar tashmë rreth 900 hyrje të paautorizuara në Gjermani brenda një jave. Shifrën e dha ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser.

Ndeshjet do të zhvillohen në 10 stadiume, në 10 qytete të ndryshme të Gjermanisë nga 14 qershori deri më 14 korrik. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër shtetit të ri. Dy vendet janë në proces dialogu në Bruksel, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes tyre që prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.