Bota

Festime për fitoren, por të djathtët francezë i kanë sytë nga raundi i dytë!

Raundi i parë i zgjedhjeve parlamentare në Francë, i zhvilluar dje konfirmoi dominimin e së djathtës ekstreme në politikën franceze dhe i hapi asaj portat e pushtetit. Mbështetësit e Tubimit Kombëtar të Marine Le Pen-it festuan gjatë natës, ndërsa Le Pen iu drejtua me fjalët:

Blloku makronist i presidentit u zhduk plotësisht.

Tubimi Kombëtar ka mbi 33% të votave, aleanca e krahut të majtë 28.1 dhe ajo e qendrës e presidentit Emmanuel Macron 21%.

Unë synoj të jem kryeministër i të gjithë francezëve, nëse francezët na i japin votat e tyre, tha udhëheqësi 28-vjeçar i Tubimit Kombëtar, Jordan Bardella.

Kjo është hera e parë që e djathta ekstreme fiton në rundin e parë të zgjedhjeve parlamentare në Francë.

Si zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Francë?

Zgjedhjet për 577 vendet në Asamblenë Kombëtare të Francës janë një proces me dy raunde. Këtë herë, i dyti do të mbahet më 7 korrik.

Në zonat ku asnjë kandidat nuk fitoi plotësisht në raundin e parë, dy kandidatët kryesorë, si dhe çdo kandidat me më shumë se 12.5% të numrit të përgjithshëm të zgjedhësve të regjistruar në atë zonë zgjedhore, kalojnë në raundin e dytë.

Kushdo që merr më shumë vota në raundin e dytë, fiton mandatin. Ajo që Marine Le Pen dhe Jordan Bardella duan është një shumicë absolute prej 289 vendesh në Asamblenë Kombëtare me 577 në total.

Pjesëmarrja e lartë të dielën e djeshme do të thotë se rreth 300 zona elektorale përballen tani me balotazhe të mundshme tripalëshe, të cilat, në teori, favorizojnë Tubimin Kombëtar.

Për t’i parandaluar këto balotazhe e për ta bllokuar Tubimin Kombëtar, politikanët e qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë të Francës kanë praktikuar atë që e quajnë “front republikan” e ku kandidati i vendit të tretë tërhiqet nga gara dhe u kërkon votuesve të mblidhen pas kandidatit të vendit të dytë.

Të gjithë kandidatët që kalojnë në balotazh, kanë kohë deri nesër në mbrëmje për të vendosur nëse do të tërhiqen ose do të konkurrojnë në raundin e dytë.

Si është gjendja këtë herë?

Shumë udhëheqës politikë dhanë udhëzime për kandidatët dhe votuesit që dje në mbrëmje. Presidenti Macron bëri thirrje për mbështetjen e kandidatëve republikanë dhe demokratë në raundin e dytë. Ish-kryeministri i tij, Edouard Philippe, kërkoi nga kandidatët e partisë që drejton, të largohen nga gara nëse janë në vendin e tretë e të mblidhen pas emrave nga qendra e majtë në qendrën e djathtë, duke përjashtuar Tubimin Kombëtar dhe partinë e ekstremit të majtë, Franca e Papërkulur.

Në taborin e majtë, udhëheqësit socialistë dhe të Francës së Papërkulur u bënë thirrje, gjithashtu, kandidatëve të tyre të vendit të tretë që të tërhiqen për ta bllokuar Tubimin Kombëtar.

Çfarë ndodh tani?

Efektiviteti i “frontit republikan” është dobësuar me kalimin e viteve dhe shumë votues nuk i dëgjojnë më këshillat e udhëheqësve partiakë. Po ashtu, është e mundur që kandidatët të refuzojnë të largohen nga gara, pavarësisht udhëzimeve nga selitë e tyre politike.

Por, bisedimet gjatë orëve të ardhshme do të jenë vendimtare dhe mund t’i ndryshojnë ndjeshëm rezultatet. Kjo e bën jashtëzakonisht të vështirë të parashikohet rezultati i raundit të dytë.