Aktualitet

Festa për pak kthehet në TRAGJEDI, 3 të plagosur në Tiranë!

Tre persona kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, gjatë një feste familjare, ndërsa janë paraqitur për të marrë mjekim në një spital privat në kryeqytet.

Gjatë njjë feste familjare, në zonën e Rrugës së Kavajës në Tiranë, një prej personave të pranishëm, ka shkrepur armën aksidentalisht, duke lënë të plagosur 3 persona të tjerë.

Në mesin e personave që kanë mbetur të lënduar është dhe një vajzë 36-vjeçare, e cila mbahet ende në ambientet e spitalit, ndërsa dy të plagosurit e tjerë janë larguar për në banesë, pasi kanë marrë ndihmën e parë.

Njoftimi i policisë:

Më datë 23.07.2024, rreth orës 01:35, janë paraqitur në një spital privat, për ndihmë mjekësore, shtetasit E. P., 36 vjeçe, A. P., 36 vjeç, dhe D. P., 34 vjeç, me dëmtime të shkaktuara dyshohet nga armë zjarri.

Këta shtetas, rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës.

Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. E., 32 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje, ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, dhe si pasojë e saj janë dëmtuar shtetasit e mësipërm.

Shtetasit D. P., dhe A. P., pas marrjes së ndihmës mjekësore janë larguar për në banesë, ndërsa shtetasja E. P., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe kapjen e shtetasit E. E.