Sociale

Fëmijët në fushata elektorale, mjete që realizojnë ëndrrën e pushtetit?!

Shumë pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 Prillit dhe gara mes partive e figurave të rëndësishme politike sa vjen e bëhet më e fortë. Duket se pandemia e COVID-19 nuk i ka dhënë shumë dorë organizimit të mirëfilltë të fushatave elektorale duke bërë që partitë politike të gjejnë mënyra alternative si të tërheqin vëmendjen e qytetarëve. Megjithatë, grumbullimet nuk kanë munguar dhe as strategjitë e tyre të reja në rrjetet sociale që janë kudo si një viurs që të shfaqet në ekranin e telefonit dhe të kërkon votën.

Këtë vit si asnjëherë tjetër, partitë politike në Shqipëri kanë shfrytëzuar çdo mundësi e çdo mjet për të bërë fushatë e premtime madje duke përfshirë edhe fëmijët. I këtij mendimi është edhe Pastor, Akil Pano të cilin së shpejti do të mund ta dëgjoni në Top Albania Radio me programin e tij “Dita e 8“. Mbrëmjen e kaluar ai ka bërë një deklaratë të detajuar në faqen e tij zyrtare në Facebook ku thekson se politika po përdor fëmijët gjatë fushatës elektorale për të hyrë sa më thellë brenda familjes e ndërgjegjes tuaj. Pastori theksoi se vetë ne i kemi dhënë në heshtje, konsensus politikanëve që të përdorin fëmijët gjatë fushatave elektorale me qëllimin e vetëm, për të përmirësuar imazhin e tyre të liderit.

Në eventet e ndryshme që organizohen në kuadër të fushatave elektorale fëmijët nuk mungojnë kurrë. Ata janë aty, qëndrojnë në heshtje me pankarta në duar ku shkruhen mesazhe politike. Herë janë të qeshur sepse nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh e herë të tjera qëndrojnë të ulur krah politikanit që po mban mikrofonin dhe i drejtohet turmës së njerëzve me premtime politike e në të njëjtën kohë po thyen rregullat anti-COVID.

Njëlloj si tek punonjësja e seksit, e cila minimizon vlerën e vetes nga qenie me integritet moral në një aksesor-send-objekt që e vendos veten në vitrinë në këmbim të parave, apo favoreve; Fëmijët përdoren si grimca pudre, për të mbuluar e maskuar dobësitë, e njerëzve që i përdorin. Kujtoj se përgjatë dekadave në shoqërinë komumiste, fëmijët zinin vend të rëndësishëm në fotot periodike me diktatorin. Fëmijët sikundër mbanin veshur rrobat më të mira, porositeshin të buzëqeshnin, shkëlqenin, e rrezatonin një pamje lumturie. Magjia e pranisë së fëmijëve kulmonte me recitimin e poezive për partinë dhe diktatorin që shoqëroheshin me duartrokitje të zjarrta. Në Shqipërinë e vitit 2021 ende s’i kemi parë fëmijët të recitojnë poezi për udhëheqësit politikë, por ata nuk kanë munguar në fotot e tyre.

Krahas faktit se fëmijët shfaqen krah tyre në foto e video që më pas shpërndahen kudo në media dhe rrjetet sociale, duke se të vegjlit, janë burimi që i sjell këta politikanë brenda gjirit tuaj familjar, duke ju hequr të drejtën e privatësisë. Kështu Akil Pano shton;

Kur fëmijët i recitojnë poezi, dhurojnë lule e përqafime liderave politikë, komunikojnë me ta të njëjtin manifest dashurie që ndodh në gjirin intim të familjes. Kështu politikani arrin të hyjë jo vetëm në ‘oborrin e jashtëm’ apo ‘korridoret’ e shtëpive’, por ai ia ka dalë të hyjë në vendin më të thellë dhe marrëdhënien më intime, duke marrë rrolin e babait dhe të nënës, më së paku në shtresat e pavetëdijes sonë individuale dhe shoqërore.