Aktualitet Fol Sociale

“Fëmijëri e humbur”, flet e motra e Xhevahir Gezdarit: “U zhduk 20 metra larg shkollës në pushimin e gjatë, gjithmonë më thoshte…”

Në episodin e tetë të podcastit “Fol me Anila Hoxhën” me titull “Fëmijëri e humbur” është trajtuar një temë mjaft delikate, për fëmijët e zhdukur. Cili është fati i tyre? Janë bërë të ditur edhe emrat e 16 fëmijëve, që janë shpallur të humbur nga Interpoli. Disa prej tyre janë deklaruar të humbur mbasi njëri nga prindërit i ka rrëmbyer. Ndërsa për të tjerët nuk dihet asgjë.

Si shembull është sjellë ai i Xhevahir Gezdarit, nëna e te cilit prej vitit 1995 thotë se vazhdon të shtrojë në tavolinë dhe pjatën e tij. Humbja e fëmijës është rasti tipik kur u hetua dhe kompania e huaj që ishte vendosur ne fshatin Tagan dhe më pas u largua.

Si për Xhevahirin që sot do ishte 41 vjeç, asgjë nuk dihet edhe për Juljan Celën, humbur në zonën e Laprakës dhe për të cilin hetimet janë rifilluar dhjetra herë. Për Bleona Matën 6 vjeçaren që humbi në Zapod ka patur ndër vite dhjetëra pista që janë rrëzuar po me aq dështim. Familjet e fëmijëve si ata, vazhdojnë të kërkojnë dhe për një motër si Havia që ja ka kushtuar jetën gjetjes së vëllait, asgjë tjetër nuk ka më rëndësi në jetën e saj.

Anila Hoxha: Havie sa vjeçe je? Jeta jote ka ndryshuar dhe është kthyer në mision të kërkimit të vëllait. Ne bashkë po shkojmë 20 vjet që njihemi. Tanimë që e ke kthyer këtë gjë në kërkim të Xhevairit. Sa të ka ndikuar kjo ngjarje? Po të pyes sepse unë e di që gati-gati e ke ‘stopuar’ jetën dhe e ke kthyer në një mision për gjetjen e Xhevairit.

Havie Gezdari: Unë jam më e madhe se Xhevairi. Kjo histori dmth unë isha për vete fëmijë për vete.

Anila Hoxha: Sa vjeçe ishe?

Havie Gezdari: Adoleshente. Edhe kur isha unë fëmijë për vete më ra si e papritur që nuk e prisja asnjëherë. Edhe atë ditë kisha edhe datëlindjen, faktikisht. Edhe më tha Xhevairi “që do iki në shkollë dhe do kthehem së shpejti”. Ai ishte i lidhur shumë me mua. Isha shumë e lidhur me atë për çdo gjë, për gjithçka. Më tregonte gjithçka. Edhe kur shkonte, edhe kur lozte me kalamajtë. Dmth. kur u kthente në shtëpi m’i tregonte. Ishte i rregullt kështu, kur kthehej në shtëpi. Thonte psh. ‘gjysëm orë do largohem me shokë, shoqe dhe do vij do kthehem’.

Anila Hoxha: Çfarë ndodhi atë ditë? Çfarë mban mend?

Havie Gezdari: Atë ditë, Xhevairi u nis për në shkollë nga ora 9:50, diçka e tillë. Shumë pranë shkollës, 30 metra larg shkollës e ka parë zysha dhe kanë qenë 2 mësues, e kanë parë ato që po zbret Xhevairi, po afrohet për në shkollë edhe i ka futur të gjithë nxënësit brenda. Dhe këtë informacion i kam marrë me anë të shokëve dhe shoqeve të Xhevairit, që në atë kohë kanë qenë në kohën e pushimit. Edhe në momentin që janë futur brenda ato nuk ka parë njeri  më gjë. 20-30 metra larg shkollës ka qenë.

Anila Hoxha: Po afrohej apo po ikte nga shkolla?

Havie Gezdari: Po afrohej në shkollë. Dmth. në orën e pushimit të nxënësve.

Anila Hoxha: Dhe çfarë ndodhi më pas? Kur e kuptuat ju?

Havie Gezdari: Kur jam kthyer nga shkolla, unë edhe i thashë mamit “po Xhevairi a ka ardh?” Jo-tha, edhe sikur kisha një “pse”. Sepse ai më tha që do kthehem edhe ai. Mami tha ‘lëre se ndoshta po loz me kalamajtë’.Edhe unë ndenjta nja gjysëm ore- 1 orë a kështu edhe u nisa drejt shkollës. Aty kur shkova tek shkolla, ishte e mbyllur me çelës. Aty sikur spo ndihesha mirë. Sepse ai nuk largohej asnjëherë pa më thënë asnjë gjë që do largohej. Dhe atë natë kërkuam, pritëm pastaj dolëm, u err, pastaj shkuam deri në Mullet se atje është qendra, shkuam atje duke prit. Ndoshta mos ka shkuar tek ndonjë kushuri a tek xhaja, tezja, por nuk rezultoi. Pastaj në polici ka shkuar babi të nesërmen që ka denoncuar.

Anila Hoxha: Kjo është një ndër çështjet më enigmatike. Është hapur, është rihapur është hetuar nga komisariati nr. 1, ka patur një letërkëmbim me të huajt. Pse me të huajt? Pse u përfshinë të huajt?

Havie Gezdari: Të huajt u përfshinë për arsyen sepse kishin një firmë italiane-franceze,  ishin të përzier si firmë.

Anila Hoxha: E cila, ishte vendosur këtu në zonë?

Havie Gezdari: Ishte vendosur në oborrin tim këtu. Sapo kishte ardhur. Kishte një javë.

Anila Hoxha: Sa punonjës kishte?

Havie Gezdari: Një javë kishte që kishte ardhur. Pastaj ndodhi ajo e vëllait të mërkurën, të shtunën u larguan ata. Firma sikur kërkonte naftë. Kishte makineri. Por së bashku me shqiptarë, nuk ishin vetëm të huaj.

Anila Hoxha: U pyetën këta shtetas apo ikën pa asnjë gjurmë?

Havie Gezdari: Thanë që është një firmë fantazmë. Nuk i dimë adresën edhe këto shqiptarët që ishin bashkëpunim me këto, thanë në polici që janë pyetur dhe thonë që sdimë gjë. Dhe ne dyshojmë tek ajo firmë. Jo, sepse e dimë të saktë. Po thjesht e dyshojmë për arsye sepse nuk kemi as hasmëri asnjë lloj gjëje.

Anila Hoxha: Dhe më pas çfarë ndodhi me hetimet? U pushuan?

Havie Gezdari: Asnjë gjë. Pastaj u pushuan. Një herë, një herë i rifilluan. Pastaj i pushuan.

Anila Hoxha: Tani çështja është e pezulluar, është mbyllur?

Havie Gezdari: E pezulluar.

Anila Hoxha: Ka dhënë vendim gjykata që Xhevairi është i zhdukur? Çfarë gjurmësh keni gjetur?

Havie Gezdari: Asnjë lloj gjëje. Për momentin deri tani. Kam trokitur psh. po asnjë lloj gjëje.

Anila Hoxha: Nuk ka asnjë lloj gjurme? Çfarë thotë policia? Prokuroria?

Havie Gezdari: Jemi në kërkim. Kaq. Jemi në kërkim. Në gjendjen civile rezulton emri. Ne do ta kërkojmë deri sa të kemi mundësi. Do ta kërkojmë. Deri në momentin e fundit. Pastaj thjesht është i rrëmbyer, përderisa nuk ka lënë asnjë lloj shënje, as në rrugë, as në shkollë, as në ndonjë vend. Dyshoj për rrëmbim.

Anila Hoxha: Keni bërë ndonjë identikit tjetër? Si mund të jetë Xhevairi sot?

Havie Gezdari: Me imagjinatë e mendoj shpeshherë, sjemi as në tokë as në qiell. Se po të dish se ku largqoftë, një vdekje siç im atë është larguar nga jeta dhe e di që shkoj tek varri edhe e qaj por ky nuk është…(qan) dhe kjo më bën që të vazhdoj.

Anila Hoxha: Në qoftëse një ditë e gjen, çfarë  do të bësh ndryshe ditën e nesërme?

Havie Gezdari: Do ndryshoj jeta ime. Kjo është.

Anila Hoxha: Në çfarë kuptimi do të ndryshojë?

Havie Gezdari: Në të gjitha anët e jetës. Dmth. do të rilind për së dyti. Një jetë e re.