Përdoruesit në TikTok po inkurajohen të tregtojnë produkte ushqimore dhe pije jo të shëndetshme. Në këtë përfundim ka arritur studimi i ‘British Medical Journal’, sipas të cilit përdoruesit e këtij rrjeti janë “ambasadorë të markave” jozyrtare, të cilat mund të arrijnë audiencë më të gjerë me marketingun e tyre.
Autorët e studimit, të botuar në revistën “BMJ Global Health”, thonë se ata kanë treguar që “TikTok është një burim në zhvillim i marketingut të ushqimeve të pashëndetshme”. Sipas Statistikave, më shumë se 40% e përdoruesve globalë të TikTok janë midis moshës 18 dhe 24 vjeç dhe 25% janë nga mosha 10 deri në 19 vjeç.
Që nga shtatori 2021, TikTok kishte një bazë mesatare ditore përdoruesish prej rreth një miliard njerëzish. Aplikacioni, në të cilin përdoruesit mund të shikojnë ose krijojnë video të shkurtra, është jashtëzakonisht i popullarizuar te fëmijët, të cilët janë shumë të ndikuar nga preferencat, blerjet dhe kërkesat e tyre ushqimore, bazuar në ekspozimin ndaj marketingut në internet.
Autorët e studimit thonë se gjetjet tregojnë nevojën për politika më të forta për të mbrojtur fëmijët nga ndikimi i dëmshëm i këtij lloji të marketingut në dietën dhe shëndetin e tyre. Rikujtojmë, se një anëtar i Komisionit Federal të Komunikimeve i ka bërë thirrje Apple dhe Google për të hequr TikTok nga aplikacionet AppStore dhe PlayStore, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare që rrethojnë kompaninë mëmë me bazë në Kinë të TikTok, ByteDance. Ndërkaq, një raport i fundit ka treguar se përdoruesit e TikTok do të shpenzojnë mesatarisht 45.8 minuta në ditë në platformën e ndarjes së videove, në ndryshim nga 45.6 minutat që do të akordojnë në YouTube.