Bota

FBI-ja i jep fund dyshimeve: Trump u godit nga plumbi!

FBI-ja deklaroi se ish-presidenti amerikan, Donald Trump u godit në vesh nga një plumb gjatë atentatit ndaj tij më 13 korrik, duke i dhënë më shumë qartësi ngjarjes, pas dy javësh konfuzioni e polemikash. Në një deklaratë, Byroja Federale u shpreh se “çfarë goditi ish-presidentin Trump në vesh ishte një plumb, i plotë apo i fragmentuar në pjesë më të vogla, që u shkrep nga arma e të dyshuarit të ekzekutuar”.

Deklarata u bë dy ditë pasi drejtori i FBI-së, Christopher Wray ngjalli polemika kur foli gjatë një seance dëgjimore në Kongresin Amerikan dhe u shpreh se nuk ishte e qartë nëse plagët e ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë u shkaktuan nga plumbi apo copëza të tjera.

Më herët gjatë ditës së djeshme, ish-mjeku i Shtëpisë së Bardhë, i cili ka shërbyer gjatë mandatit të Trump-it, kundërshtoi deklaratën e numrit një të FBI-së.

Fakti se vetëm një plumb e plagosi ish-presidentin Donald Trump në veshin e djathë dhe ai i shpëtoi vdekjes për fare pak centimetra është shndërruar në një element kryesor për fushatën elektorale të kandidatit republikan.

Ronny Jackson, mjek i Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, deklaroi:

Nuk ekziston asnjë provë se u godit nga ndonjë gjë tjetër përveç një plumbi. Drejtori i FBI-së, Christopher Wray gabohet dhe është e papërshtatshme që të sugjerohet ndonjë gjë tjetër.

Ky ishte postimi i Jackson-it, i njohur dhe si një aleat i ngushtë i ish-presidentit Trump.  Të enjten e kaluar, Trump iu drejtua medias së tij sociale për ta kritikuar drejtorin e FBI-së.

Ishte fatkeqësi që një plumb e goditi veshin tim dhe e goditi fort. Nuk pati xham, nuk pati copëza, vuri në dukje teksa shtoi se: Nuk është çudi që FBI-ja dikur e lavdishme, ka humbur besimin e Amerikës!

Edhe zëdhënësi i fushatës elektorale të ish-presidentit Donald Trump i tha agjencisë së lajmeve Reuters se çdo variant tjetër se ish-numri një i Shtëpisë së Bardhë mund të ishte goditur nga diçka tjetër ka qenë nënprodukt i teorive të konspiracionit. Ngjarja shokuese po hetohet nga Byroja Federale që paralajmëroi se do të ishte një hetim i gjatë.