Aktualitet

Fatos Nano përsëri me probleme shëndetësore. Gjendja nën kontroll

Ish-kryetari i PS dhe ish kryeministri vendin Fatos Nano përsëri me probleme shëndetësore.

Dy burime të pavarura nga njëri-tjetri, i konfirmuan gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu problemet e fundit të zotit Nano.

“Bëhet fjalë për një rrëshqitje dhe ka pësuar shembje kockash. Asnjë me rëndësi apo kërcënuese për shëndetin e tij”, tha një prej miqve të afërm të zotit Nano.

Konkretisht, ish-lideri socialist Fatos Nano ka pësuar frakturë në qafën e femurit të këmbës së majtë. Fatos Nano prej disa muajsh bënte fizioterapi, por gjatë ditës së sotme teksa bënte ushtrimet e fizioterapisë është rrëzuar duke dëmtuar këmbën e majtë. Aktualisht po trajtohet në një spital privat dhe ditën e nesërme do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirugjikale.

Ndërsa një tjetër pas një kominikimi me familjen tha se “situata e tij shëndetësore është nën kontroll”. Gushtin e vitit të shkuar Fatos Nano u përball me një situatë të vështirë shëndetësore.

Lideri historik i Partisë Socialiste iu nënshtrua një intubimi pasi atij i është rikthyer një problem kronik respirator që në gjuhën mjekësore, njihet me SPOK, sëmundje pulmonare obstruktive kronike.

Por pas ndërhyrjes intensive të mjekëve ia doli të kishte një shëndet të stabilizuar.

Top Channel