Aktualitet

Fati i Fredi Belerit në duart e Apelit të Posaçëm/Vendimi më 25 qershor!

Gjykata e Posaçme e Apelit pritet të vendosë më 25 qershor ndaj ankesës së Alfred Belerit, kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, kundër dënimit me dy vjet burg për vjedhje votash. Në muajin mars, Gjykata e Posaçme e dënoi me dy vjet heqje lirie lidhur me akuzën e vjedhjes së votave në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

Mbrojtja e tij është ankuar ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe ka kërkuar lirimin e tij. Në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit morën pjesë familjarë e mbështetës të tij, përfshirë ambasadoren greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi.

Beleri dhe avokatët e tij mbrojtës i kanë cilësuar akuzat si “politike” e “të pabazuara”. Ndërkaq, ai fitoi një vend në Parlamentin Europian si përfaqësues i partisë në pushtet në Greqi, Demokracia e Re, në zgjedhjet e qershorit.

Kreu i shoqatës së minoritetit grek në Shqipëri “Omonia”, Marin Suli, i tha Radios Evropa e Lirë se Beleri ka deklaruar se nëse shpallet i pafajshëm, “do të zgjedhë mandatin e kryebashkiakut të Himarës” para vendit të eurodeputetit.

Zgjedhja e Alfred Belerit si deputet i Parlamentit Europian shkaktoi polemika, si për legjitimitetin, ashtu dhe për ndikimin e rastit të tij në integrimin europian të Shqipërisë. Juristë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se rasti i tij ngre shqetësime kushtetuese e ligjore.

Sipas tyre, mund të ndikojë edhe në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, por edhe në marrëdhëniet me Greqinë. Alfred Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, ishte kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës, në zgjedhjet e majit të vitit 2023.

Ai u arrestua dy ditë para zgjedhjeve, nën dyshimet për blerje votash. Pavarësisht se ishte në paraburgim, Beleri i fitoi zgjedhjet, por nuk u betua asnjëherë. Në mars të këtij viti u dënua me dy vjet burg.

Rasti nxiti kritika të mëdha në Athinë, ku Ministria e Jashtme tha se “dënimi 2-vjeçar nuk është proporcional me masën e veprës së supozuar”. Më pas, partia e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, e emëroi kandidat për zgjedhjet për Parlamentin Europian, të mbajtura nga data 6 deri më 9 qershor, ku u zgjodh.