Këngëtarja Shakira ka njoftuar se turneu i saj “Women’t Cry Anymore” në Shtetet e Bashkuara, i cili ishte planifikuar të fillonte më 2 nëntor, do të shtyhet për në maj 2025. Kjo vendosje vjen pas kërkesës së jashtëzakonshme për bileta, duke e detyruar ekipin e saj të shtojë më shumë data dhe të ndryshojë ambientet në stadiume për të akomoduar një numër më të madh fansash.
Në një deklaratë, Shakira shprehu falënderime për mbështetjen e fansave dhe theksoi se ky turne po bëhet më i rëndësishmi i karrierës së saj. “Kërkesa për bileta dhe më shumë shfaqje ka tejkaluar pritshmëritë më optimiste,” theksoi ajo.
Megjithatë, lajmi ka shkaktuar zemërim mes fansave në rrjetet sociale. Disa prej tyre shprehën zhgënjimin për shpenzimet që kishin bërë për të marrë pjesë në koncertet e planifikuara, duke e akuzuar këngëtaren për mungesë respekti.
Shakira ka qenë gjithashtu në qendër të kritikave për çështje të tatimeve, pasi vitin e kaluar u akuzua se nuk kishte paguar 14.5 milionë euro tatim mbi të ardhurat në Spanjë. Ajo ka reaguar ndaj këtyre akuzave duke pretenduar se ka përjetuar një fushatë shpifjeje nga ana e sistemit të drejtësisë spanjolle.