Bota Sport

Fansat e dhunshëm ndalohen të ndjekin sfidat, policia gjermane masa të rrepta ndaj tifozerive në Euro2024!

Drejtoria e Policisë Federale të Mynihut ka shtuar forcat gjatë Kampionatit Evropian, teksa raportohet se prej nisjes së turneut autoritetet kanë ndaluar 37 tifozë të dhunshëm nga hyrja në stadiume.

Në periudhën nga 7 qershori deri më 27 qershor 2024, oficerët e Policisë së Mynihut kontrolluan 238,336 persona duke zbuluar 1030 hyrje të paautorizuara, nga të cilat, 605 u refuzuan. Nga këto, 83 raste përfshinin refuzime të personave që ishin dëbuar më parë.

Më shumë se dy të tretat e hyrjeve të paautorizuara në Gjermani u zbuluan në kufirin me Austrinë.

Sakaq, Policia Federale ka rinisur përkohësisht kontrollet kufitare në të gjithë kufijtë e brendshëm të Shengenit që nga data 7 qershor 2024 me rastin e EURO 2024.

Vendosja e Policisë Federale në Kampionatin Evropian të Futbollit në Gjermani është dislokimi më intensiv i personelit që nga themelimi i agjencisë.

Në mbarë vendin, deri në 22,000 oficerë policie janë vendosur në kufij, aeroporte, porte detare dhe stacione treni.

Pak ditë para fillimit të Euro 2024 Ministrja e brendshme e Gjermanisë, nancy Faeser u shpreh ndër të tjera edhe për terrorizmin islamik:

“Sa i përket terrorizmit islamik, rreziku më i madh për momentin është dega e Shtetit Islamik në Afganistan dhe Azinë Qendrore (ISPK). Megjithatë, sfidat për sigurinë në Kampionatin Evropian janë shumë më të ndryshme. Ato përfshijnë kriminelë të dhunshëm si huliganë dhe çështje të sigurisë kibernetike”.

“Gjatë turneut, 350 policë të huaj do të vendosen në Gjermani, si në Qendrën Ndërkombëtare të Bashkëpunimit Policor në Neuss,  dhe në patrullimet e përbashkëta në vende të ndryshme kyçe-publike. Nuk do të jetë një festival i gëzuar apo një shëtitje në park për autoritetet e sigurisë. Do të jetë një sfidë e jashtëzakonshme, rraskapitëse”.