Shpenzimet e shqiptarëve për shëndetin janë duke u rritur vit pas viti. Të dhënat e INSTAT-it mbi konsumin final të familjeve në vitin 2023, tregojnë se ato për shëndetin arritën vlerën 46,7 miliardë lekë ose 467 milion euro, me rritje rreth 64% në krahasim me 2020-ën kur shpërtheu pandemia COVID-19.
6 vitet e fundit, shpenzimet mesatare për shëndetin kanë rezultuar mbi 34 miliardë lekë në vit, por më 2020-ën u ulën për shkak të masave të izolimit, shtyrjes së ekzaminimeve dhe trajtimeve për diagnozat që nuk kishin të bënin me COVID-19. Teksa popullsia e vendit po tkurret, shpenzimet e familjeve për shëndetin po rriten.
Ekspertët pohojnë se një seri faktorësh po çojnë në rritjen e shpenzimeve për shëndetin, por themelori është rritja e barrës së sëmundjeve në popullatë. Ndotja e lartë e ajrit, jeta sedentare, kequshqyerja po ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve jo të transmetueshme. Nga ana tjetër, plakja e popullsisë rrit gjithnjë e më shumë nevojën për shërbime shëndetësore.
Studimet e mëparshme kanë treguar se, popullsia mbi 65 vjeç vuan nga më shumë se dy sëmundje kronike. Diabeti dhe sëmundjet që lidhen me qarkullimin e gjakut janë shndërruar në pandemi. Të dhënat nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore tregojnë se barra e sëmundjeve kronike në popullatë po shënon rritje mesatare vjetore me 5%.
Pandemia ndikoi edhe më shumë, pasi te shumë të prekur krijoi artrite, dëmtoi veshkat dhe të tjera organe jetësore që kërkojnë trajtim gjithë jetën. Teksa shpenzimet e familjeve shqiptare për shëndetin po rriten, politikat publike nuk po ndihmojnë në lehtësimin e barrës financiare, pasi fondet për rimbursimin e barnave nuk po ecin me të njëjtat ritme.
Gati për një dekadë, buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vendnumëro, në një kohë që të ardhurat buxhetore janë dyfishuar dhe burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FDSKSH) u rritën.
Në vitin 2013, shpenzimet për rimbursimin e barnave ishin sa 2,1% e shpenzimeve totale buxhetore, ndërsa në vitin 2024 ky raport u përkeqësua, pasi ato zënë vetëm 1,6% të totalit të shpenzimeve buxhetore. Nga viti 2019 e deri më 2024-ën, buxheti i FSDKSH (struktura që financon shërbimet shëndetësore publike) është rritur me rreth 40% ndërsa zëri i rimbursimit të medikamenteve vetëm 20%, sipas të dhënave zyrtare. Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSKDSH-së. Më 2024-ën, vetëm 20.6%./Monitor