Aktualitet Sociale

Familjet me arsim të mesëm kishin rritjen më të madhe të buxhetit mujor më 2023-shin!

Në familjet që kishin kryefamiljar me arsim të mesëm ose profesional shpenzimet u rritën më shpejt se në ato me arsim 9-vjeçar apo të lartë. Të dhënat nga Anketa e Buxhetit të Familjeve të INSTAT-it tregojnë se shpenzimet mujore në familjet ku kryefamiljari ishte me arsim profesional u rritën 13% në krahasim me vitin 2022. Ndërsa në familjet që kishin kryefamiljar me arsim të lartë, shpenzimet u rritën me 8.1%.

Në të kundërt, familjarët që kishin kryefamiljar me arsim 8-9 vjeçar pësuan rënie të buxhetit me 0.2 %, ndërsa tek kryefamiljarët që nuk kishin asnjë nivel arsimi shpenzimet mujore u rritën me 3.2% në vitin 2023 në krahasim me vitin 2022.

Arsimi dhe aftësitë janë një aset për të siguruar të ardhura gjatë gjithë jetës. Në Shqipëri, arsimi profesional zë një pjesë modeste (16% të arsimit të mesëm) dhe në anën tjetër, tregu gjithnjë është i etur për profesionet. Psh, me zhvillimin e turizmit, një kërkesë e fortë u shfaq për kuzhiniere dhe punonjës shërbimi.

Kërkesa e lartë ndikoi në rritjen më të shpejtë të pagave për këto profesione. Pagat për stafet e kuzhinës dhe shefin kalojnë nga 1000 deri në 4000 euro, ndërkohë që nevojat po plotësohen me staf të huaj.

Kufizimet në tregun e punës për profesionistët e nivelit të lartë dhe rritja e ofertës për profesione që nuk kanë shumë aftësi po deformojnë tregun e pagave. Mungesa e fuqisë punëtore pa shumë kualifikim dhe zhvillimi i sektorëve që nuk kërkojnë punonjës të kualifikuar ka barazuar pagën teknikut me inxhinierin dhe të pastrueses me ekonomistin.

Përqendrimi i rritjes ekonomike vetëm në dy sektorë, turizëm e ndërtim ka ngushtuar mundësitë për profesionistët dhe menaxherët e nivelit të lartë nga sektorë të tjerë, teksa po rrit ofertën për profesione elementare.

Psh, një kamerier në strukturat hoteliere në zonat bregdetare paguhet jo-zyrtarisht nga 800 deri 1000 euro në muaj dhe një pastruese deri në 700. Gjithashtu, një punonjës stalle në blegtori në zonën e Fierit paguhet deri në 700 euro në muaj, ndërkohë një ekonomist në Tiranë, në vitin e parë të punës nuk merr me shumë se 500 euro në muaj.

Mungesat në burimet njerëzore, kryesisht për postet me të ulëta kanë prishur sistemet e referimit të pagave që zotëronte çdo kompani dhe ka shtuar nevojën për fleksibilitet./Monitor