Live From Tirana Sport

“Familja e Herkulëve” rrëfejnë detajet rreth pasionit të tyre më të madh!

Këtë të martë ndryshe nga herët e tjera, në emisionin “Live From Tirana” ishin të ftuar katër personazhe shumë interesantë. Bëhet fjalë për Emiljana Ciko dhe Sokol Bishanaku së bashku me dy djemtë e tyre, Samuel e Manuel Bishanaku. Ata të katërt kanë zgjedhur të dashurojnë fushën e sportit të peshëngritjes, për këtë arsye do t’i quajmë ndryshe edhe si “Familja e Herkulëve”.

Në një intervistë speciale në studion e Top Albania Radio-s, familja na tregoi rreth historisë së tyre, sfidat dhe kënaqësitë që kanë marrë nga ky lloj sporti. Emiljana Ciko, mamaja atletike tregoi rreth marrëdhënies së saj me bashkëshortin, ku të dy ishin gjatë gjithë kohës në palestër dhe fakti se edhe fëmijët e tyre kanë zgjedhur këtë fushë e bën më të lehtë funksionimin sa më të shëndetshëm të familjes. Pasi ka hyrë në botën e sportit në një moshë relativisht të re, ajo shprehet se e ka më të lehtë të menaxhojë gatimin e regjimin që duhet të ndjekin.

Kryetrajneri i Kombëtares së Peshëngritjes, Sokol Bishanaku na tregoi një detaj të këndshëm rreth jetës së tyre private, ku ai na bëri të ditur se çiftin e kishte bashkuar palestra, sepse ata kryenin stërvitjen të dy së bashku. Ish kampioni i peshëngritjes mesa duket është shumë krenar dhe i lumtur që djali i tij po ndjek hapat e të atit.

Është kënaqësi e madhe kur fëmija ndjek hapat e prindit.

Bisedës iu bashkuan edhe dy djemtë e tyre, Samueli, i cili ka thyer shumë rekorde e ka korrur shumë fitore në kampionatin e peshëngritjes dhe pse në një moshë fare të re. Ndërsa djali i tyre i vogël, Manueli tha për herë të parë lajmin e shumëpritur nga prindërit e tij se kishte vendosur të zgjidhte hapat e babit dhe dëshironte t’i përkushtohej peshëngritjes, por ai mendonte se nuk do mund t’ia kalonte dot vëllait të tij. Stërvitja për të ishte diçka shumë e rëndësishme dhe se çdo gjë tjetër ishte humbje kohe.

Ndërkaq, Samueli na befasoi duke thënë se dëshironte të vazhdonte karrierën e tij në Shqipëri e se donte të përfaqësonte vendin e tij sa më denjësisht.

Kjo deklaratë e kampionit të vogël na bëri të kuptojmë respektin dhe dashurinë e tij për vendin tonë. Ne i urojmë familjes shumë suksese e sa më shumë fitore të tjera!