Refugjatët Rohingya nga Mianmari po padisin kompaninë Meta, që më herët njihej me emrin Facebook, për 150 miliardë dollarë lidhur me pretendimet se kompania e rrjeteve sociale nuk ndërmori veprime kundër gjuhës së urrejtjes të përdorur ndaj këtij komuniteti, gjë që sipas tyre, kontribuoi në dhunë.
Padia u ngrit në Kaliforni nga kompanitë ligjore Edelson PC dhe Fields PLLC. Në të argumentohet se dështimet e kompanisë për të kontrolluar përmbajtjen dhe dizajnin e platformës së saj kontribuuan në dhunën në botën reale, me të cilën përballet komuniteti Rohingya.
Në një veprim të koordinuar, avokatët britanikë dorëzuan një njoftim në zyrën në Londër të Facebook-ut.
Facebook-u nuk ka komentuar menjëherë lidhur me këtë padi. Më herët, kompania ka thënë se ka qenë “shumë e ngadalshme për të parandaluar dezinformatat dhe gjuhën e urrejtjes” në Mianmar dhe që atëherë ka ndërmarrë hapa për të parandaluar shkeljet në platformën e saj në këtë rajon, përfshirë edhe ndalimin që ushtria të ketë llogari në Facebook dhe Instagram pas puçit ushtarak të 1 shkurtit.
Facebook-u ka thënë se është i mbrojtur me ligjet për internetin në SHBA sa i përket përmbajtjes që postojnë përdoruesit e kësaj platforme. Por, në padinë e ngritur kërkohet që në këtë rast të aplikohen ligjet që janë në fuqi në Mianmar.
Mbi 730,000 myslimanë Rohingya u larguan nga shteti Rakine i Mianmarit në gusht të vitit 2017, pash shtypjes së ushtrisë dhe refugjatët kanë thënë se kjo shtypje ka përfshirë vrasje në masë dhe dhunime. Ndërkaq, grupet për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar vrasjen e civilëve dhe djegien e fshatrave.
Autoritetet në Mianmar kanë thënë se ata kanë qenë duke luftuar një kryengritje dhe kanë mohuar se kanë kryer mizori sistematike.
Më 2018, hetuesit për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara thanë se përdorimi i Facebook-ut kishte luajtur rol kyç në përhapjen e gjuhës së urrejtjes që nxiti dhunë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka hapur një rast për akuzat e krimeve të kryera në rajon. Në shtator, një gjykatës federal amerikan i kërkoi Facebook-ut që të publikojë të dhënat e llogarive që postuan përmbajtje kundër komunitetit Rohingya, llogari të cilat, Facebook-u i ka mbyllur.