Nëse keni qenë përdorues të Facebook nga maji i vitit 2007 deri në dhjetor të vitit 2022, atëherë ju jeni përfitues i një shpërblimi që gjiganti i rrjeteve sociale ju detyrohet. Bëhet fjalë për një pagesë prej 725 milionë dollarësh që Meta pranoi të paguante në një padi në grup.
Sipas DailyMail, përdoruesit e kualifikuar janë ata që kishin një llogari në Facebook nga 24 maj 2007 deri më 22 dhjetor 2022, duhet të paraqesin një kërkesë drejt “Meta”, deri më 25 gusht 2023. Padia e ngritur, në të cilën Meta nuk pranoi asnjë keqbërje, pretendon se platforma e mediave sociale mori të dhëna të përdoruesve dhe të miqve të tyre pa leje, për t’i vendosur në dispozicion të palëve të treta.
Nga këtu rrjedh skandali i “Cambridge Analytica” i vitit 2018, i cili pretendonte se kompania kishte keqpërdorur të dhënat nga dhjetëra miliona llogari në Facebook duke lejuar aksesin te palët e treta. Në padinë e dorëzuar thuhej:
Facebook dyshohet se ka ditur për mbledhjen e pahijshme të të dhënave të Cambridge Analytica që nga viti 2015 dhe nuk ka ndërmarrë veprime për të ndaluar aktivitetin ose për të njoftuar përdoruesit deri në mars 2018. Kjo i lejoi aplikacionet e palëve të treta të bashkojnë dhe të shesin akses në informacionin privat të përdoruesve të Facebook, duke përfshirë firmën e konsulencës politike Cambridge Analytica, pa dijeninë ose pëlqimin e përdoruesve.
Padia u ngrit në vitin 2019 nga paditësit që pretenduan se Facebook nuk shpërndante vetëm të dhëna bazë, si gjinia dhe mosha, por edhe fotografitë e tyre, videot që ata bënë, videot që shikuan dhe fjalët nga mesazhet e tyre të drejtpërdrejta personale. Në gusht 2022, u arrit një marrëveshje dhe u soll në gjykatë, e ndjekur nga muaj negociatash deri më 22 dhjetor, kur paditësit paraqitën një mocion duke kërkuar miratimin paraprak të zgjidhjes.
Përdoruesit që mendojnë se kanë të drejtë për një pjesë të zgjidhjes mund të plotësojnë një formular me emrin, adresën dhe e-mail-in e tyre. Formulari pyet nëse keni jetuar në SHBA gjatë një kohe të caktuar dhe keni qenë përdorues i Facebook. Do t’ju kërkohet gjithashtu të jepni emrat e përdoruesve tuaj në Facebook dhe numrin e telefonit të lidhur me llogarinë tuaj.