E ftuar ditën e djeshme në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, ka qenë Mimoza Ahmeti, poetja e njohur e cila ka bërë një kthesë në poezinë shqipe me krijimtarinë e saj dhe temat e përzgjedhura. Për herë të parë, Mimoza ka rrëfyer historinë e saj aktuale të dashurisë.
Ne e kemi dëgjuar historinë e saj fantastike të dashurisë, që zgjat prej tre vitesh me një 36-vjeçar, që është shtetas i huaj, por vetë poetja nuk kishte folur ndonjëherë. A jetojnë ata së bashku? Për më shumë detaje ka treguar vetë ajo…
Po, domethënë ndajmë apartamentin se nuk jemi në gjendje të jetojmë bashkë. Brenda një muaji e gjysmë, përpara tre vjetësh, ai filloi të shfaqte simptomat e një sëmundjeje të cilën unë e dyshova që në fillim, sepse flinte shumë dhe ishte shumë i lodhur.
E pyetur nga Fatma se si lindi historia e tyre e dashurisë dhe se si janë njohur, Mimoza rrëfen:
Fizikisht, arti të lë vetëm. Unë kisha një periudhë shumë të gjatë që isha vetëm dhe ai filloi më shkruante në Facebook. I pashë foton, ishte një bukurosh i ri, i gjatë, 1.93. I thoja s’ke për të ardhur, ç’punë kishte ai me mua! Ky siç duket e dinte se diçka nuk shkonte mirë me shëndetin dhe kishte nevojë për një mbështetje. Ai ka një karakteristikë që mua më pëlqen; megjithëse është kurrkushi, është individ, i sëmurë, por individ. Preu biletën dhe erdhi në Tiranë.
Mimoza vijoi duke treguar se sa kohë kishin që flisnin së bashku.
Shumë pak, por koha ishte shumë e gjatë. Erdhi nga Holanda, atje punonte. I thashë: “Po çfarë do bëj unë me ty, ti dukesh si 19 vjeç, si shumë i ri.” “Po dhe ti dukesh si 35”,- më tha kur erdhi, – “Ndoshta krijojmë diçka…” Ishte 33 vjeç kur erdhi, njeri i pjekur. Unë thosha me vete: “Po ç’ma dërgoi këtë njeri Perëndia…” Me thënë të drejtën, nuk besoj se është dashuri, por diçka më shumë dhe më pak; është mbijetesë. U fut dhe pandemia në mes, nga ana tjetër sëmundja e tij e rëndë, e kam vizituar edhe jashtë, do luftoj derisa të mundem.
E pyetur nga Dalina Buzi se nëse ka momente kur ajo do që t’i thotë atij ‘ik’, Ahmeti nuk ngurron të japë një përgjigje:
Ai të lë vetë, është shumë i zgjuar. Ka ikur dy – tri herë dhe është kthyer prapë. Herën e fundit që iku, u ndamë si dy të panjohur. Mbaj mend që i thashë vetes: “Bobo, kush hyn tani në normalitet.” Kam shkruar shumë gjatë kësaj periudhe, kam bërë dy ekspozita pikture. Lodhja e madhe më ka krijuar dhe probleme me njërin sy (shpeshherë ai bëhet dhe nervoz, i pakënaqur), shikoj një ego tek ai, që i thotë vetes “princ”, nuk shikoj buzëqeshjen e falenderimit.