Bota

Evropa në ‘flakë’, vala e të nxehtit nuk jep shenja tërheqjeje!

Mijëra zjarrfikës po luftojnë me zjarret në Portugali, Spanjë dhe Francën jugperëndimore, teksa vala e të nxehtit nuk jep shenja tërheqjeje.

Në Portugalinë veriore, një pilot humbi jetën pasi avioni i tij cistern u rrëzua në zonën Foz Coa, pranë kufirit spanjoll.Zjarret po shkatërrojnë zonat e rajonit Gironde të Francës, ku më shumë se 12,000 njerëz janë evakuuar.

Në Spanjën jugore, pranë Costa del Sol, rreth 2,300 njerëz u detyruan të largoheshin nga flakët e përhapura prej kodrave të Mijas.  Momente tmerri përjetuan pushuesit në plazhin e Torremolinos kur panë shtëllungat e tymit dhe flakët që afroheshin. Ndërkohë, një banor vendas i përshkroi zjarret në pyje pranë bregut jugperëndimor të Francës si ndjesi “post-apokaliptike”. “Nuk kam parë kurrë dicka të tilla në jetën timë”, tha ai për AFP.

Që nga e marta, temperaturat janë rritur në 47 gradë Celsius në Portugali dhe mbi 40 gradë Celsius në Spanjë, duke krijuar thatësira të mëdha në zonat rurale, e duke ushqyer flakët. Deri tani, më shumë se 300 njerëz vetë raportohet të kenë humbur jetën nga i nxehtit në të dy këto vende, sipas agjencisë spanjolle të lajmeve Efe.

Pjesë të tjera të Mesdheut janë prekur gjithashtu. Në Itali, qeveria ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në luginën e tharë të lumit PO. Në Greqi, zjarrfikësit po përballen  me flakët në zonën e Ferizës, rreth 50 km  në jug-lindje të Athinës dhe pranë Rethymnos, në bregun verior të Kretës.

Në Marokun verior, të paktën një fshat është shkrumbuar i tëri, ndërsa disa të tjerë u evakuuan. Franca gjithashtu regjistroi temperatura prej rreth 40 gradësh Celsius, e pret përkeqësim të situatës javën e ardhme.