I ftuar në emisionin “Më lër të flas” gjatë mbrëmjes së sotme ishte ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit. Në këtë intervistë ekskluzive, futbollisti foli rreth karrierës së tij të suksesshme në këtë fushë dhe disa aspekte nga jeta e tij personale.
Lorik Cana është pyetur gjatë bisedës edhe për rrugëtimin e tanishëm të skuadrës tonë kombëtare të futbollit, ku me plot bindje mund ta themi se na ka surprizuar në eleminatoret e Euro 2024. I pyetur se si është ky ekip, krahasuar me atë të shumë viteve më parë ku edhe ai ka qenë pjesë, Cana u përgjigj:
Klube janë klube, kombëtarja është diçka e veçantë. Jo vetëm ne që kemi qenë aty brenda por edhe çfarë sjell për njerëzit edhe veçanërisht për vendin tonë, ka shumë pak elementë në shoqërinë tonë, atë që ka arrit futbolli dhe kombëtarja në këtë rast. Ne jemi nostalgjik se na kujton atë kohën e suksesit, por kemi filluar diçka dhe kur vazhdon një lloj suksesi unë besoj që meritën tonë e bën edhe më të madhe duke e trashëguar tek gjenerata tjetër. Sigurisht na mungon, fusha na mungon shumë, sidomos dy vitet e para, pastaj fillon e mësohesh. Por atë adrenalinën që e ke para lojës dhe gjatë lojës, është një lloj ndjenje në bark, si ato fluturat, një adrenalinë që nuk e kam gjetur në asnjë pjesë të jetës.
I pyetur se nëse do të luante kombëtarja e tij me atë të tanishmen, futbollisti është shprehur se ajo e tij do të fitonte me rezultatin 1-0. Më poshtë, mund të ndiqni këtë pjesë të intervistës.