Bota

Europa Qendrore nën “darën” e përmbytjeve të frikshme/Fatalitete në njerëz!

Banorët dhe autoritetet janë duke vazhduar betejën e tyre në përballjen me pasojat e shirave të rrëmbyeshëm e me përmbytje në mbarë Europën Qendrore. Në Rumani, autoritetet zyrtare saktësuan se të paktën katër persona kanë vdekur nga vërshimet ndërsa dje njoftohej për pesë viktima. Në Poloni është raportuar për një viktimë ndërsa në Republikën Çeke mësohet se katër persona konsiderohen “të zhdukur”.

Reshjet intensive të shiut kanë detyruar ekipet e shpëtimit që të angazhohen edhe në disa pjesë të Austrisë, por edhe në Republikën Çeke e në Poloni. Shumë banorë janë evakuuar pasi diga në Miedzigorze u tejmbush duke krijuar një situatë “kritike” për autoritetet lokale.

Por, Rumania është shteti që rezulton i goditur më keq pasi 20 komuna në tetë qarqe rumune janë prekur nga vërshimet. Më shumë se 5 mijë shtëpi pësuan dëme dhe qindra banorë u evakuuan. Kryeministri Marcel Ciolacu ka njoftuar se janë ngritur vendstrehime të përkohshme për njerëzit që janë në rrezik nga përmbytjet. Këtë njoftim e bëri teksa një ditë më parë vizitoi një prej qarqeve të goditura më rëndë, Galatin. Katër persona raportohet se kanë gjetur vdekjen nga vërshimet në Rumani.

Instituti Hidrologjik dhe i Menaxhimit të Ujërave në shtetin rumun reagoi duke aktivizuar alarmin e kuq në Galati dhe Vaslui, ku në përpjekjet e shpëtimit po merr pjesë edhe ushtria, e cila po tenton që të arrijë te banorët që kanë mbetur të bllokuar.

Në disa pjesë të Rumanisë, thuhet se niveli i ujit arrin deri në tri metra. Ndërkaq, autoriteti për menaxhimin e ujit në Vroklav, në jugperëndim të Polonisë, tha se situata është kritike, pasi diga pothuajse 30 metra e lartë në afërsi të kufirit të Polonisë dhe Çekisë është thyer, duke detyruar që banorët të evakuohen me shpejtësi.

Në Austri, dhjetëra komuna janë shpallur zona të katastrofës. Nga ana tjetër, më herët gjatë ditës së sotme, në Poloni u konfirmua se një person ka humbur jetën e në Çeki vazhdojnë kërkimet për katër persona që konsiderohen të zhdukur.

Në kryeqytetin çek, Pragë, autoritetet kanë vendosur masa për parandalimin e vërshimeve. Sipas parashikimit të motit, në Austri, në Republikën Çeke, në jug të Gjermanisë, si dhe në Hungari, Poloni e Sllovaki pritet të vazhdojnë reshjet e shiut.