Sport

Euro U-17 për vajza, sot Kombëtarja nis grumbullimin!

Shqipëria U-17 e vajzave është gati për aventurën “Euro 2025” për këtë grupmoshë. Ekipi i drejtuar nga trajnerja Cyme Lulaj sot nis grumbullimin në Durrës, në kuadër të ndeshjeve të raundit të parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian për këtë moshë e kategori.

Po sot, trajnerja publikoi edhe listën me 20 emrat e vajzave kuqezi që do të përfaqësojnë Shqipërinë në sfidat kundër Izraelit dhe Kosovës. 13 prej tyre janë pjesë e klubeve shqiptare të moshave dhe shtatë të tjera aktivizohen në kampionatet jashtë vendit tonë.

Këtë të diel, skuadra fillon përgatitjet në Durrës dhe të mërkurën e 30 tetorit do të zhvillojë ndeshjen e parë kundër Kosovës. Takimi i grupit B4 pritet të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 14:00. Ndërkaq, sfida e dytë e grupit është ajo mes Kosovës dhe Izraelit, që do të zhvillohet të shtunën e ardhshme, më 2 nëntor në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 11:30.

Ndeshja e tretë e këtij raundi do të luhet mes Shqipërisë dhe Izraelit, sërish në “Elbasan Arena” më 5 nëntor ora 14:00. Shqipëria U-17 që drejtohet nga trajnerja Cyme Lulaj është pjesë e Ligës B dhe do të tentojë vendin e parë të grupit, për t’u ngjitur në Ligën A për edicionin e ardhshëm kualifikues të Europianit të vajzave për këtë grupmoshë.