Bota

Euro dobësohet pas rezultatit të zgjedhjeve europiane!

Zgjedhjet për Parlamentin Europian u pasuan me dobësimin e euros kundrejt dollarit amerikan. Mëngjesin e sotëm, një euro ishte më pak se 1.08 dollar ndërsa gjatë pjesës më të madhe të javës së kaluar ishte rreth 1.09 dollar. Analistët thonë se lëvizjet nuk duken të mëdha, por pasqyrojnë mënyrën si ndihen njerëzit në tregjet ekonomike.

Rezultatet e zgjedhjeve në BE treguan rritje të mbështetjes për partitë e krahut të djathtë, gjë që edhe pritej. Por, elementi surprizë është se [presidenti i Francës, Emmanuel] Macron reagoi duke thirrur zgjedhje të parakohshme. Kjo gjë e bën tregun më nervoz, tha për agjencinë Reuters Lee Hardman, analist i monedhës europiane në kompaninë e shërbimeve financiare, MUFG.

Lëvizje të ngjashme u panë edhe në bursa, pasi aksionet e mëdha në të gjitha tregjet kryesore europiane shënuan rënie.

Franca nisi të përgatitet për votime, pasi dje presidenti Emmanuel Macron shpërndau parlamentin dhe thirri zgjedhjet e parakohshme për në datën 30 qershor. Me këtë vendim, shefi i Elizesë doli pasi partia e tij pësoi humbje të madhe kundrejt forcës së ekstremit të djathtë të Marine Le Pen-it, në zgjedhjet për Parlamentin Europian.

Kam besim në aftësinë e popullit francez për ta bërë zgjedhjen më të drejtë për veten dhe për brezat e ardhshëm, shkroi sot Macron në platformën X. Ambicia ime e vetme është të jem i dobishëm për vendin tonë që e dua shumë.

Zgjedhjet për Parlamentin Europian u mbajtën në të gjitha vendet e Bashkimit Europian nga data 6 deri më 9 qershor. Partia Fronti Kombëtar e Le Penit siguroi mbi 30% vota më shumë se Rilindja e qendrës e Macronit. Partitë e ekstremit të djathtë, shënuan përparime edhe në disa vende të tjera, si Gjermani, Spanjë e Itali.

Por, shumicën në Parlamentin Europian me 720 vende, pritet ta formojë Partia Popullore Europiane e qendrës së djathtë, e cila sipas rezultateve paraprake, siguroi 184 të tilla.

Kryeministri belg, Alexander De Croo njoftoi dorëheqjen pas humbjes së rëndë në zgjedhjet europiane. Aktualisht, De Croo do ta paraqesë dorëheqjen te mbreti Philippe, i cili ka fuqinë edhe që ta refuzojë, mbi bazën e gjykimit të tij. De Croo reagoi kështu pas humbjes së partisë së tij Liberale dhe Demokrate Flamande (Open VLD) në zgjedhjet për PE-në të mbajtura nga data 6 e deri më 9 qershor 2024 në 27 vende të Unionit.