Sport

“Euro 2024”, sonte Shqipëria përballë Spanjës!

Shqipëria po përgatitet për sfidën e fundit në Grupin B të Europianit “Gjermani 2024” , atë me Spanjën. Takimi që pritet të fillojë sonte në orën 21:00, konsiderohet si vendimtar për kuqezinjtë, të cilët në rast fitoreje, për herë të parë në historinë e futbollit tonë do të mund të ishin pjesë e turit të 1/16-ve të Europianit.

Në dy ndeshjet e para, me Italinë e me Kroacinë, kuqezinjtë kanë arritur që të performojnë mjaft mirë. Të mërkurën e 19 qershorit, ata morën një barazim për t’u vlerësuar ndaj kroatëve, të cilët në Botërorin e vitit 2022 në Katar u radhitën në vendin e tretë, duke arritur të eliminonin dhe Brazilin.

Ndërkohë, në ndeshjen e parë të luajtur në Europian, më 15 qershor përballë Italisë, Shqipëria pësoi një humbje minimale 2-1. Aktualisht, Grupi B kryesohet nga Spanja, tashmë e kualifikuar me gjashtë pikë, e ndjekur nga Italia në vendin e dytë me tre pikë, ndërsa Shqipëria është në vendin e tretë me një pikë, po aq sa ka edhe Kroacia. Ndeshjet e fundit të grupit janë: Shqipëri-Spanjë dhe Kroaci-Itali e që do të luhen paralelisht.

Sa i takon duelit me Spanjën, kuqezinjtë nuk kanë arritur që të kenë një fitore përballë iberikëve në sfidat e mëparshme. Në tetë ndeshjet e zhvilluara deri tani, statistikat konfirmojnë se spanjollët ia kanë dalë që të fitojnë në të gjitha rastet. Në këto tetë përballje, Spanja ka shënuar në total 31 gola, kundrejt vetëm tre të Shqipërisë e që mbajnë autorësinë e Shkëlqim Muçës, Sokol Kushtës e të Myrto Uzunit.

Por, pavarësisht këtyre rezultateve të arritura në tetë ndeshjet e luajtura mes furisë së kuqe dhe kuqezinjve, duhet theksuar se në sfidën e sotme, Spanja nuk do të luajë me titullarët. Kjo për shkak se po kërkon që të ruajë energjitë për fazën tjetër, pasi tashmë është e kualifikuar. Ndoshta ky fakt do të sjellë dhe një ulje të përqendrimit të iberikëve, çka mund të favorizojë djemtë e teknikut brazilian Silvinjo, për të arritur një rezultat pozitiv.

Anësori i sulmit kuqezi, Jasir Asani, optimist për sfidën ndaj Spanjës. Sipas tij, Shqipëria mund t’ia dalë të sigurojë një rezultat pozitiv. I pyetur për rivalin e ardhshëm në grup, në një intervistë për UEFA-n, Asani u shpreh se kuqezinjtë do të japin gjithçka në fushë, se tashmë nuk kanë gjë për të humbur.

Kemi luajtur ndaj dy kundërshtarëve të fortë si Italia dhe Kroacia. Ata luajnë futboll të nivelit të lartë dhe Spanja ka gjithashtu talente të mëdha. Ne kemi mësuar shumë si një skuadër në “Euro 2024”, pasi këto ndeshje janë ato që mund të na përmirësojnë si futbollistë.

Ne e kemi analizuar Spanjën dhe e kemi studiuar. Nuk kemi asgjë për të humbur, ndaj do të mundohemi të bëjmë më të mirën e të marrim tre pikët, edhe pse do të jetë një detyrë shumë e vështirë. Nëse do të kemi pak fat, mund t’ia dalim!