Shqipëria po përgatitet për sfidën e fundit në Grupin B të Europianit “Gjermani 2024” , atë me Spanjën. Takimi që pritet të fillojë nesër në orën 21:00 konsiderohet si vendimtar për kuqezinjtë, të cilët në rast fitoreje, për herë të parë në historinë e futbollit tonë do të mund të ishin pjesë e turit të 1/16-ve të Europianit.
Në dy ndeshjet e para, me Italinë e me Kroacinë, kuqezinjtë kanë arritur që të performojnë mjaft mirë. Të mërkurën e 19 qershorit, ata morën një barazim për t’u vlerësuar ndaj kroatëve, të cilët në Botërorin e vitit 2022 në Katar u radhitën në vendin e tretë, duke arritur të eliminonin dhe Brazilin.
Ndërkohë, në ndeshjen e parë të luajtur në Europian, më 15 qershor përballë Italisë, Shqipëria pësoi një humbje minimale 2-1. Aktualisht, Grupi B kryesohet nga Spanja, tashmë e kualifikuar me gjashtë pikë, e ndjekur nga Italia në vendin e dytë me tre pikë, ndërsa Shqipëria është në vendin e tretë me një pikë, po aq sa ka edhe Kroacia. Ndeshjet e fundit të grupit janë: Shqipëri-Spanjë dhe Kroaci-Itali e që do të luhen paralelisht të hënën e 24 qershorit, duke nisur nga ora 21:00.
Sa i takon duelit me Spanjën, kuqezinjtë nuk kanë arritur që të kenë një fitore përballë iberikëve në sfidat e mëparshme. Në tetë ndeshjet e zhvilluara deri tani, statistikat konfirmojnë se spanjollët ia kanë dalë që të fitojnë në të gjitha rastet. Në këto tetë përballje, Spanja ka shënuar në total 31 gola, kundrejt vetëm tre të Shqipërisë e që mbajnë autorësinë e Shkëlqim Muçës, Sokol Kushtës e të Myrto Uzunit.
Por, pavarësisht këtyre rezultateve të arritura në tetë ndeshjet e luajtura mes furisë së kuqe dhe kuqezinjve, duhet theksuar se në sfidën e ditës së nesërme, Spanja nuk do të mund që të luajë me titullarët. Kjo për shkak se po kërkon që të ruajë energjitë për fazën tjetër, pasi tashmë është e kualifikuar. Ndoshta ky fakt do të sjellë dhe një ulje të përqendrimit të iberikëve, çka mund të favorizojë djemtë e teknikut brazilian Silvinjo, për të arritur një rezultat pozitiv.
Ndërkaq, sonte në “Euro 2024” radha e përballjeve Zvicër-Gjermani dhe Skoci-Hungari, që të dyja në orën 21:00.