“Euro 2024”, sot Kombëtarja Shqiptare e Futbollit rifillon përgatitjet për ndeshjen e parë të Grupit B ndaj Italisë e që do të luhet në stadiumin gjerman të Dortmundit, në datë 15 qershor, ora 21:00. Pas një dite pushim, kuqezinjtë do të zhvillojnë dy seanca stërvitore në kampin bazë të Shqipërisë në Kaiserau.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se, seanca e parë e të hënës starton në orën 11:00 dhe do të jetë e hapur 15 minutat e para për median, ndërsa seanca e dytë, në ora 17:00. Po ashtu, sot pritet të ketë dhe një konferencë për median nga një prej futbollistëve kuqezi, i cili do të jetë në komunikimin e përditshëm duke nisur nga ora 13:45.
Konferenca mund të ndiqet në faqen zyrtare të FSHF në Youtube, teksa gazetarët do të mund ta ndjekin dhe të drejtojnë pyetje online në kanalin e dedikuar në Microsoft Teams.
Pasditen e 8 qershorit, ekipi i Kombëtares shkoi në tokën gjermane. Shumë fëmijë dhe familjarë të komunitetit shqiptar mirëpritën kuqezinjtë. Presidenti i FSHF-së Armand Duka, i falënderoi për pritjen dhe i ftoi që të gjithë së bashku ta shijojmë Kampionatin Europian.
Dua t’ju falënderoj të gjithëve. Të gjithë fëmijët dhe të tjerët për pritjen fantastike dhe të ngrohtë që kanë organizuar për ne, që nga aeroporti i Dyseldorfit e deri këtu. Pavarësisht se ne fizikisht nuk kemi qenë këtu, e kemi ndjerë ngrohtësinë tuaj në çdo moment dhe detaj që ekipi jonë këtu të ndihet si në shtëpi. Të gjithë ne shqiptarët jemi vërtetë shumë të lumtur dhe krenarë që jemi pjesë e këtij kompeticioni, më i rëndësishmi sportiv për mua në botë. I ftoj futbollistët tanë dhe të gjithë shqiptarët që do të ndjekin ekipin Kombëtar që ta shijojnë vërtetë këtë Europian, u shpreh Duka.
Ne jemi skuadra e parë mike që vijmë në Gjermani për Kampionatin Europian. Kështu që duke qenë të parë unë uroj që të kemi këmbën e mbarë për të gjithë Kampionatin Europian dhe të kemi një Europian sa më të mirë e të bukur që ta shijojnë të gjithë që do jenë pjesë, në Gjermani, në stadiume dhe në televizionet e të gjithë botës. Ta shijojmë të gjithë bashkë dhe pse jo Shqipëria të fitojë.