Aktualitet Sport

EURO 2024, Kombëtarja nis grumbullimin në Kaiserau!

Pas zbarkimit në Dyseldorf pasditen e djeshme, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit, menjëherë udhëtoi drejt Kaiseraut në Kamen, kampit bazë ku do të qëndrojë përgjatë përgatitjeve në Europianin “Gjermani 2024”. Pas akomodimit në qendrën sportive, trajneri Silvinjo dhe stafi teknik vendosën që sot t’i lënë pushim lojtarët e nuk do të ketë seancë stërvitore.

Ndërkaq, Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit, FSHF bëri me dije se do të jetë mesfushori Ylber Ramadani, i cili sot do të jetë në konferencën për media që fillon në orën 12:00 dhe do të zhvillohet në sallën e konferencave, në Kaiserau Sportecenter.

Nesër, skuadra do të vijojë normalisht seancat stërvitore që si zakonisht do të jenë të hapura për mediat në 15 minutat e para.

Simon Simoni është i vetmi që nuk do të jetë pjesë e listës prej 26 futbollistësh në Gjermani, pasi Silvinjo duhej të përfshinte vetëm 26 lojtarë, mes të cilëve tre portierë. Portieri 20-vjeçar nuk ishte i përfshirë në protokollin e sfidës mes Shqipërisë e Azerbajxhanit, teksa në pankinë ndodheshin Etrit Berisha dhe Elhan Kastrati, të cilët me Thomas Strakoshën, i cili zbriti si titullar përballë azerëve, janë portierët që do përfaqësojnë Shqipërinë në “Euro 2024”.

Gjithsesi, gardiani kuqezi udhëtoi me skuadrën duke qenë pranë ekipit, ndonëse jo i gatshëm për t’u aktivizuar në ndeshjet e kësaj vere. Futbollisti i Eintracht Frankfurtit do të qëndrojë në listën e pritjes në rast se ndonjë prej portierëve dëmtohet në ditët në vijim.

Simoni u përgatit me skuadrën në grumbullimin paraprak dhe mori sinjalet se stafi teknik e ka në konsideratë e natyrisht do të tentojë në të ardhmen për të qenë pjesë e një eventi të madh ndërkombëtar, si protagonist.

Lista e teknikut Silvinjo përbëhet nga tre portierë, nëntë mbrojtës, tetë mesfushorë e nga gjashtë sulmues. Për kuqezinjtë, ndeshja e parë do të jetë më 15 qershor në Signal Iduna Park të Dortmundit përballë Italisë. Kundërshtarët e tjerë në Grupin B, janë Spanja dhe Kroacia në këtë Europian.