Sport

Euro 2024, gati finalja Spanjë-Angli/Formacionet e mundshme!

Spanja dhe Anglia janë gati për finalen e madhe të Euro 2024-ës, e programuar për sonte në mbrëmje (21:00) në “Olympiastadion” të Berlinit. Iberikët synojnë të dërgojnë trofeun për herë të katërt në Madrid, diçka që do e kthente skuadrën La Roja në më të suksesshmen në kontinentin e vjetër. Historinë dhe lavdinë kërkojnë edhe ishullorët në tokën gjermane. Anglia nuk ka fituar kurrë një Europian më parë.

Besim dhe optimizëm te “Tre Luanët”, me lojtarët të karikuar në maksimum për të lumturuar popullin e tyre. Trajnerët Luis De la Fuente dhe Gareth Southgate nuk kanë shumë dilema në lidhje me titullarët e duelit të zjarrtë.

Te Spanja rikthehen pas pezullimeve Dani Carvajal dhe Le Normand, të cilët do ta nisin nga minuta e parë në krahun e djathtë dhe në qendër të mbrojtës.

Konfirmime tek Anglia, me Southgate që pritet t’u besojë sërish titullarëve të suksesit përballë Holandës në gjysmëfinale. Finalja e Europianit Gjermani 2024 do të gjykohet nga francezi Francois Letexier.

FORMACIONET E MUNDSHME

SPANJA (4-2-3-1): Simon; Carvajal, Le Normand, Laporte, Cucurella; Ruiz, Rodri; Yamal, Olmo, Williams; Morata.

ANGLIA (3-4-2-1): Pickford; Walker, Stones, Guehi; Saka, Mainoo, Rice, Trippier; Foden, Bellingham; Kane.

Para ndeshjes që do të vendosë fituesin e trofeut të Kampionatit Europian, trajneri i Spanjës, Luis De la Fuente deklaroi në konferencën për mediat se kjo do të jetë një përballje e fortë, teksa shtoi se ndeshja mund të fitohet edhe nëse nuk luajnë bukur.

Eshtë një lojë shumë e fortë. Ne e dimë se Anglia ka potencial fantastik futbolli dhe mund të bëjë një rikthim të madh nesër. Ne duhet të përballemi dhe të shohim se kush fiton dhe kush bën më pak gabime. Edhe nëse ndeshja është shumë më e keqe, sërish mund ta fitosh kështu që duhet të jemi plotësisht të përqendruar te kjo lojë.

Nëse fitojmë, nuk do të ndryshojë gjë për mua. Gjërat i kam shumë të qarta prej kohësh. Unë jam një gladiator. Unë kam ardhur këtu duke luftuar dhe do të vlerësoj atë arritje siç kam vlerësuar çdo gjë që më kanë sjellë deri këtu.