Pas eliminimit të Shqipërisë në fazën e grupeve të Europianit, Gjermani 2024, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka u shpreh se duhet të jemi krenarë. Në një postim në rrjetet sociale, numri një i FSHF-së theksoi se krenarë duhet që të jemi për shumë arsye dhe mes tyre veçoi pjesën që “mbushëm sheshet dhe rrugët në Gjermani, duke shpërndarë dashuri”.
Faleminderit!
Jemi jashtë Euro 2024, pas tre ndeshjesh në një grup me skuadra si Italia, Kroacia e Spanja, por duhet të jemi krenarë. Duhet të jemi krenarë që djemtë na sollën në këtë Europian, duhet të jemi krenarë për atë që dhanë në fushë, duhet të jemi krenarë që u dhamë bukuri tribunave me ngjyrat tona kuqezi, që mbushëm rrugët dhe sheshet në Gjermani duke shpërndarë shumë dashuri, përmes sportit më të bukur në botë, futbollit.
Faleminderit futbollistëve, stafit teknik dhe të gjithë tifozëve për këtë Europian!- shkruan Duka.
Kombëtarja mbrëmë humbi 0-1 ndaj Spanjës në ndeshjen e tretë e të fundit për Grupin B të Euro 2024-ës dhe me vetëm një pikë është zyrtarisht e eliminuar nga “Gjermani 2024”. Mrekullia ndaj Spanjës nuk ndodhi, por për trajnerin brazilian Silvinjo kjo ishte një përvojë e artë dhe tha se shpreson ta drejtojë Shqipërinë edhe për 10 vite.
Silvinjo tha se shorti dhe grupi ishin të vështirë e se nuk jemi mësuar të luajmë në kompeticione të tilla, por se arritën të ishin kundërshtarë dinjitozë e nuk kanë keqardhje. “Urime për lojtarët, Shqipëria është krenare me ne. Synimi i Shqipërisë është të luajmë në evenimente të tilla, të arrijmë në nivele më të larta duke mësuar e duke u përmirësuar. Kemi synime të qarta, kemi lojtarët e duhur. Na pret një punë e madhe, por kemi materialin e duhur”, – theksoi tekniku brazilian.