Sport

“Euro 2024”, Asani: Ndaj Spanjës do të japim maksimumin, mund t’ia dalim!

Anësori i sulmit kuqezi, Jasir Asani shprehet optimist për sfidën e nesërme ndaj Spanjës në Grupin B të “Euro 2024”-ës. Sipas tij, Shqipëria mund t’ia dalë të sigurojë një rezultat pozitiv. I pyetur për rivalin e ardhshëm në grup, në një intervistë për UEFA-n, Asani u shpreh se kuqezinjtë do të japin gjithçka në fushë, se tashmë nuk kanë gjë për të humbur.

Kemi luajtur ndaj dy kundërshtarëve të fortë si Italia dhe Kroacia. Ata luajnë futboll të nivelit të lartë dhe Spanja ka gjithashtu talente të mëdha. Ne kemi mësuar shumë si një skuadër në “Euro 2024”, pasi këto ndeshje janë ato që mund të na përmirësojnë si futbollistë.

Ne e kemi analizuar Spanjën dhe e kemi studiuar. Nuk kemi asgjë për të humbur, ndaj do të mundohemi të bëjmë më të mirën e të marrim tre pikët, edhe pse do të jetë një detyrë shumë e vështirë. Nëse do të kemi pak fat, mund t’ia dalim, u shpreh mëngjërashi kuqezi, duke bërë në fund dhe një batutë për këpucët e tij speciale me SuperMario.

Dëshiroja të kisha një dizajn argëtues ndaj dhe zgjodha SuperMarion. Ndoshta këpucët e mia janë më të famshme në “Euro 2024” se unë.

Shqipëria po përgatitet për sfidën e fundit në Grupin B të Europianit “Gjermani 2024” , atë me Spanjën. Takimi që pritet të fillojë nesër në orën 21:00 konsiderohet si vendimtar për kuqezinjtë, të cilët në rast fitoreje, për herë të parë në historinë e futbollit tonë do të mund të ishin pjesë e turit të 1/16-ve të Europianit.

Në dy ndeshjet e para, me Italinë e me Kroacinë, kuqezinjtë kanë arritur që të performojnë mjaft mirë. Të mërkurën e 19 qershorit, ata morën një barazim për t’u vlerësuar ndaj kroatëve, të cilët në Botërorin e vitit 2022 në Katar u radhitën në vendin e tretë, duke arritur të eliminonin dhe Brazilin.

Ndërkohë, në ndeshjen e parë të luajtur në Europian, më 15 qershor përballë Italisë, Shqipëria pësoi një humbje minimale 2-1. Aktualisht, Grupi B kryesohet nga Spanja, tashmë e kualifikuar me gjashtë pikë, e ndjekur nga Italia në vendin e dytë me tre pikë, ndërsa Shqipëria është në vendin e tretë me një pikë, po aq sa ka edhe Kroacia. Ndeshjet e fundit të grupit janë: Shqipëri-Spanjë dhe Kroaci-Itali e që do të luhen paralelisht të hënën e 24 qershorit, duke nisur nga ora 21:00.