Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, tha se mirëpret vendimin e Policisë së Kosovës për të njoftuar Inspektoratin Policor lidhur me nisjen e hetimeve mbi pretendimet e një qytetari në veri se është dhunuar nga policia. Dje, Inspektorati Policor bëri të ditur se ka nisur hetimet për veprimet policore, pas pretendimeve të qytetarit nga Mitrovica e Veriut, Millosh Subotiç, se u rrah nga Policia e Kosovës pasi u dërgua në një stacion policor.
Me vendosmëri, ne kërkojmë që çdo pretendim për keqtrajtim të hetohet menjëherë dhe në mënyrë efektive nga autoritetet përkatëse. Në këtë kontekst, sipas mandatit të EULEX-it, roli ynë është që të monitorojmë hetimet e kryera nga Inspektorati Policor i Kosovës e nëse vendoset, edhe nga autoritetet e prokurorisë, theksoi EULEX-i në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.
Lidhur me pretendimet e Subotiçit, disa organizata joqeveritare njoftuan për ndërprerjen e bashkëpunimit me EULEX-in, nëse ky mision nuk deklarohet mbi rastin. Përmes një njoftimi, që u nënshkrua nga Aktiv, Nova Iniciativa Shoqërore, Qendra për Afirmimin e Veprimeve Shoqërore, Qendra për Mbrojtjen e Kulturës Demokratike dhe Instituti për Zhvillimin Ekonomik Territorial, u tha se Policia e Kosovës nuk është “profesioniste”.
Sot këto organizata reaguan sërish dhe i kërkuan EULEX-it që të informojë opinionin për hapat që ka ndërmarrë për të përcaktuar përgjegjësinë mbi “trajtimin çnjerëzor e torturën në këtë dhe shumë raste të tjera që kemi parë muajt e fundit në veri të Kosovës”.
Mosveprimi i misionit të EULEX-it në monitorimin e veprimeve të institucioneve të Kosovës në sistemin e sundimit të ligjit kontribuon në inkurajimin dhe institucionalizimin e politikës së mosndëshkimit dhe dhënies së imunitetit për individët dhe grupet brenda Policisë së Kosovës për përdorimin e forcës së tepruar kundër serbëve të Kosovës. Me heshtjen e tij, EULEX-i po bëhet bashkëpunëtor, thanë organizatat joqeveritare.
Në përgjigjen dërguar REL-it, EULEX-i deklaroi se “tortura, trajtimi çnjerëzor apo denigrues janë absolutisht të ndaluara”.
Kemi rol monitorues dhe këshillues e mbetemi të përkushtuar që të mbështesim institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë, në mënyrë që ato të mund të garantojnë në mënyrë efektive të drejta e të gjithëve.
Misioni i BE-së tha po ashtu se nëse përmes aktiviteteve të tij monitoruese vëren shkelje serioze, EULEX-i i adreson këto me autoritetet përgjegjëse.