Aktualitet

Etiketimi si kriminelë, shqiptarët e Anglisë protestë në Londër/Për të mos u humbur mbishkrimet e pankartave!

Shqiptarë të Anglisë protestuan sot në Londër, duke ngritur zërin kundër gjuhës diskriminuese të artikuluar nga sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, Suella Braverman, e cila i etiketoi si “kriminelë”. Ndërsa jepte alarmin se sistemi i azilit në Britani është “shkërmoqur” dhe “emigracioni ilegal ka dalë jashtë kontrolli”, Braverman i bëri shqiptarët tabelë qitjeje, çka e vendosi në syrin e ciklonit politiko-mediatik.

Në mënyrë të njëanshme, si shembull veçoi vetëm shqiptarët që mbërrijnë me gomone e jo 11 kombësitë e tjera nga rreth 40 mijë persona që këtë vit kanë zbarkuar me mjete lundruese në brigjet angleze.

Mjaftuan fjalët e Braverman-it që mediat britanike me politika editoriale kundër emigrantëve, “t’i hidhnin benzinë zjarrit” e të jepnin alarmin e “pushtimit të Britanisë së Madhe nga shqiptarët”.

Në Westminster Bridge, pranë Parlamentit, pjesëtarë të komunitetit shqiptar protestuan me pankarta në duar, duke i kërkuar kryeministrit shkarkimin e sekretares së Brendshme. Ranë në sy mbishkrimet: Suella të dërgohet në Ruandë; Ne punojmë, paguajmë taksa, jemi shqiptarë; Rishi, shkarkoje Suella-n! Stop bashkëpunimit me Edi Ramën!

Duke vënë në dukje se nuk janë kriminelë e ndërsa kërkuan liberalizim të vizave për shqiptarët, po ashtu, protestuesit presin nga qeveria britanike t’iu kërkojë falje për shënjestrimin e pamerituar. Në pritje të faljes nga Londra zyrtare për deklaratat e ministres Braverman është edhe kryeministri Rama.

 

Nuk munguan dozat e ironisë, si në pankartën më poshtë:

Marangoz profesionist me kohë të plotë. “Kriminel” gjatë kohës së lirë.